Kriza energjitike/ Naçe: Kapacitetet e Shqipërisë të pamjaftueshme për të përmbushur kërkesën e energjisë
Analisti Rei Naçe është shprehur se kriza energjetike nuk po prek vetëm Shqipërinë por edhe tek vende më të mëdha si Kina apo Anglia.
Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, shprehet se kapacietet që ka vendi ynë nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur kërkesën e energjisë 100%.
Rei Naçe: Kriza e energjisë nuk po prek vetëm Shqipërinë por edhe vende shumë më të mëdha si Kina dhe Anglia. Një sërë shkëputjesh në zinxhirin e furnizimit me lëndët e para të rigjenerimit të energjisë në tregjet botërore ka shkaktuar një dyndje kërkese për këto lëndë të para. Nëse çmimet e lëndëve të para për prodhimin e një të mire rriten edhe çmimi i asaj të mire do rritet. Mbi 95 % e energjisë në Shqipëri prodhohet nga hidrocentralet dhe nga uji. Kapacitetet e Shqipërisë nuk janë të vogla, por nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur kërkesën e energjisë 100%. Por edhe po të kishim 100% kapacitete po të bazoheshim vetëm tek burimet ujore, prapë nuk do na sigurohej kjo plotësi dhe siguri energjetike.
Më tej thotë se ka një mospërputhje midis momentit kur kërkohet energjia dhe momentit kur prodhohet, dhe sipas tij ky është një disaavantazh.
Rei Naçe: Është një disaavantazh i energjisë që vjen nga uji që pavarësisht se është shumë e pastër dhe shumë e rinovueshme ka një mospërputhje midis momentit kur kërkohet dhe kur prodhohet. E rëndësishme është dhe shpërndarja e energjisë elektrike. Ruajtja e energjisë në Shqipëri është e mundur aq sa është edhe niveli i mundur i ruajtjes së ujit në liqenet e digave të hidrocentraleve që kemi.
Ai shprehet se Shqipëria nuk është e aftë që të plotësojë 100% furnizimin me energji dhe në shumicën e rasteve i drejtohet tregjeve të importit.
Rei Naçe: Momentin që ne fillojmë dhe përdorim rezervat tona ujore duhet të kuptojmë se hyjmë në periudha të thata. Nëse e përdorim këtë rezervë, shumë shpejt lind nevoja për import. Shqipëria nuk është e aftë që të plotësojë nevojat e veta, shumicën e rasteve i drejtohet tregjeve të importit.
Përgatiti për online Anila Kolgjini.
