Ibrahimaj prezanton paketën fiskale për vitin 2022, fond shtesë 1.25 mld për mbështetjen e fermerëve
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj ka paraqitur në Komisionin për Ekonominë dhe Financat paketën fiskale për vitin 2022 e cila përfshin disa ndryshime sipas saj në nivelin e tatimeve dhe të taksave.
Kjo paketë është në mbështetje ët nismave për të garantuar një zhvillim ekonomik.
Paketa e re fiskale synon që të ardhurat shtesë në buxhetin e shtetit të jenë në masën 5.2 miliardë lekë.
Ibrahimaj: Të ardhurat tatimore për vitin 2020 janë rreth 398 miliard lekë ose 24.6 % të produktit të brendshëm bruto (PBB). Projeksioni për vitin 2022 parashikon rritjen e të ardhurave tatimore në 26.8% dhe në vitin 2023 në 27.1% të PBB.
Rishikimi i ligjit mbi tatimin mbi të ardhurat
-Nëpërmjet ndryshimit të propozuar në tatimin mbi të ardhurat rritet paga dysheme e patatueshme nga niveli 30 mijë lekë në nivelin 40 mijë lekë në muaj. Tatimi që d o të paguhet është 0% duke mundësuar që çdo qytetar të mos paguajë tatim dhe të ketë ët ardhura më të larta. Nga kjo përfitojnë rreth 71.500 qytetarë.
-Reduktimi i normës tatimore me 50% për tatim paguesit me të ardhura nga 40 mijë lekë ën muaj deri në 50 mijë lekë në muaj ku përfitojnë rreth 58 mijë tatim pagues.
-Tatimi 23% parashikohet të aplikohet për pagat mbi 200 mijë lekë të reja në muaj nga 150 mijë lekë në muaj që është aktualisht. Numri i përfituesve është rreth 5900 tatimpagues.
Paketa fiskale gjithashtu parashikon një ndryshim në projektligjin mbi tatimin mbi vlerën e shtuar
-Trajtimi me shkallë të reduktuar i TVSH me vlerë 10% i furnizimit të imputeve bujqësore. Numri i subjekte të cilët preken nga ky ndryshim është 3600 subjekte në vit. Nga ky ndryshim pritet që të ardhurat të rriten me 900 milionë lekë në vit.
- Norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor nga 6% bëhet 0%. Numri i subjekteve që preken nga ky ndryshim është rreth 140 subjekte të kategorisë grumbullues.
Ndryshimet në ligjin e TVSH vijnë si shkak i rekomandimeve në mënyrë të vazhdueshme në FMN-së.
Bujqësia vazhdon të mbetet një nga sektorët prioritare të qeverisë.
-Është parashikuar fond shtesë në skemat e mbështetjes së fermerëve prej 1.25 miliardë lekë, një shtesë për shumën e rimbursimit të naftës me 200 milionë lekë.
-Është parashikuar një fond i cili do të jetë i bashkëfinancuar me qeverinë gjermane, ku qeveria shqiptare parashikon 200 milionë lekë, ndërkohë që kontributi i qeverisë gjermane është 6.8 milionë euro.
-Është parashikuar fond garancie prej 1 miliardë lekësh për mbështetjen e fermerëve.
