Viroza dhe Covid, 100 fëmijë në ditë për trajtim në Pediatrinë e Korçës

Përhapja e koronavirusit dhe virozave të stinës tek fëmijët këtë vjeshtë duket se po ndihet edhe nga rikthimi i fëmijëve në shkolla, pas më shumë se një vit qëndrimi në shtëpi. Deri në 100 fëmijë kërkojnë çdo ditë trajtim në Pediatrinë e Korçës.

Rikthimi i fëmijëve në shkolla e kopshte këtë vjeshtë pas gati një viti qëndrimi në shtëpi po ndikon në përhapjen e virozave të stinës.

Nga 70 deri 100 fëmijë të moshave të ndryshme kërkojnë ndihmë mjekësore në Pediatrinë e Korçës këto ditë të para të nëntorit.

Virozat e stinës janë shqetësimi kryesor, por mes tyre kanë rezultuar edhe të prekur me koronavirus.

Mjekja, Xhentila Doka, thotë se rasti i fundit është një fëmijë 3 muajsh.

"Në pjesën më të madhe kemi viroza që për momentin ka shpërthyer dhe është pak vështirë të mbahet në kontroll. Kemi pasur shumë raste me bronkite, kryesisht virale në një kohë të zgjatur. Pak vështirë të diferencohen nga moshat pediatrike të Covid. Rasti i fundit para një jave, një fëmijë tre muajsh në një familje me Covid."

Mjekët thonë se në qarkullim janë disa viruse që po bashkëveprojnë.

"Jemi përgatitur për këto forma që të jenë të pazakonshme, ose shtim imediat të numrit sepse do të infektohen. Është normale që viruset të transmetohen, çështje kohe dhe mënyre si do ta bëjnë fëmijët."

Në pavionin e Pediatrisë shtrohen çdo ditë për mjekim më të specializuar 5 deri në 10 fëmijë.