Ora News siguron dokumentin për Tom Doshin: Veç "non grata" nuk ka hetime jashtë, ja rastet për të cilat u hetua këtu
Ora News siguron dokumentin që Sektori i Dekriminalizimit prane Prokurorisë së Përgjithshme i ka dorëzuar sot KQZ lidhur me rezultatet e verifikimit për subjektin Tom Doshi.
Veç shpalljes non grata nga SHBA për shkak të përfshirjes në korrupsion të lartë, Tom Doshi prokuroria informon KQZ-në se nuk rezulton të ketë indicie, të dhëna a rrethana e fakte, për veprimtari kriminale jashtë territorit të Shqipërisë. Apo që Tom Doshi të jetë në hetim apo gjykim nga një autoritet i huaj si i dyshuar për kryerjen e ndonjë vepre penale.
Dokumenti mban datën 4 nëntor dhe është firmosur nga prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela.
Nga dokumenti rezulton se Tom Doshi është dënuar vetëm një herë me vendim të formës së prerë nga gjykatat shqiptare dhe bëhet fjalë për vitin 1990 ndërsa të tjera rezulton të ketë qenë person nën hetim. Për dy raste dosjet e tij janë në gjykim në Gjykatën e Lartë.
Kreu i PSD-së hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe kërkesën ia dorëzoi KQZ-së, një ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, më 26 prill 2021
Denimi
Në 25 maj 1990 Tom Doshi rezulton të jetë dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Durrësit për kryerjen e kundravajtjes penale “Sjelljes së padenjë në shoqëri”. Ai rezulton të jetë dënuar me 1 vit burg heqje lirie, duke filluar vuajtja e dënimit nga data 26 shkurt 1990.
Rastet kur u hetua
1990 - Rezulton se ka qenë person nën hetim apo i akuzuar për kryerje të veprës penale "Plagosje të rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim dhe “sjellje të padenjë në shoqëri.” Këtë çështje prokuroria e Durrësit e kishte dërguar për gjykim në datën 26 prill 1990.
2012- "Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime ,manifestime të paligjshme” procedim penal i regjistruar më 20 janar 2012 regjistruar në Prokurorinë e Përgjithshme. Çështja u pushua për shkak të "Dhënie amnistie" .
2008 “Goditje për shkak të detyrës” regjistruar në 13 mars 2008 në Prokurorinë e Përgjithshme. Çështja u pushua një muaj më pas 12 maj 2008.
2015 “Kallëzim i rremë” deklarim të rremë para prokurorit” dhe kanosje për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”. Procedimi penal u regjistrua më 23 mars 2015 nga Prokuroria e Përgjithshme dhe çështja u dërgua në Gjykatën e Lartë më 23 qershor 2015.
2017 “Refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive dhe interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose të çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”
Procedimi penal u regjistrua më 9 qershor 2015 nga Prokuroria e Përgjithshme dhe çështja u dërgua në Gjykatën e Lartë më 12 qershor 2017.
Në dokument thuhet se Tom Doshi "nuk rezulton të jetë dënuar me vendim gjyqësor jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor shqiptar, për një çështje penale të pa zgjidhur me vendim gjyqësor të formës së prerë."
Më 26 mars 2015 rezulton të jetë ndaluar nga policia e Tiranës pasi prokuroria kishte lëshuar urdhër ndalim si person i dyshuar për kallëzim të rremë” “deklarim të rremë para prokurorit” dhe kanosje për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”. Ndaj tij u dha masa e sigurimit "Arrest me burg"


