“Ballkani i Hapur” në terma konkretë, Vuçiç: Për 1 vit e gjysmë njerëzit do lëvizin të lirë, miratojmë lejet e punës

Takimi i radhës për nismën e Ballkanit të Hapur u mbajt në Beograd, ku këtë herë u fol me gjuhën e përfitimeve konkrete për vendet të rajonit. Presidenti Vuçiç dhe kryeministri Rama edhe njëherë ftuan liderët e vendeve të tjera që të marrin pjesë, duke theksuar se në një hark të shkurtër kohor rajoni do jetë një hapësirë e përbashkët e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave. 

Tre përfaqësuest e nismës së "Ballkanit të Hapur" folën me terma konkretë për përfitimet që ka rajoni, edhe pse vijon të ketë vetëm mbështetjen e tre vendeve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Nga takimi i radhës në Beograd, presidenti i Serbisë u shpreh se qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të mund të lëvizin të lirë në rajon për rreth 1 vit e gjysmë. 

Vuçiç: Njerëzit tanë, për 1 vit 1 vit e gjysmë, të lëvizin pa asnjë lloj kufiri. Unë besoj që për samitin e Tiranës do të kemi një takim pas Krishtlindjes dhe do të nënshkruajmë në atë kohë atë që duhet të nënshkruajmë, përshembull memorandumin për lejet e punës, që duhet të jetë marrëveshja e vërtetë reale e cila duhet të ketë fuqi ligjore, sepse e vetmja gjë për ti mbajtur njerëzit në rajon është që ata të mund të punojnë kudo lirisht në rajon.

Si zakonisht kritik me Bashkimin Europian, kryeministri Rama tha se BE duhet të afrohet më shumë me Ballkanin Perëndimor, në kushtet kur nuk po ecën përpara me Procesin e Berlinit, që sipas tij diçka të tillë po e bën nisma e "Ballkanit të Hapur". 

Rama: Kemi rënë dakord për një qëndrim të përbashëkt adresuar BE duke e kuptuar situatën fare mirë në BE me bllokimin absurd që i është bërë procesit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë por duke nënvizuar në ndërkohë ne nuk kemi asnjë lëkundje në rrugën për të ndërtuar në vendet tona vende me standarde të BE. Nga ana tjetër kemi bindjen që BE ndërkohë që është i zhytur në dilemat e veta peng i tyre ka rënë dhe integrimi europian i rajonit, mund të konsiderojë disa hapa të rëndësishëm për të ardhur më pranë rajonit duke intergruar në rrjetin e universiteteve të BE universitetet tona, duke integruar në rrjetin e mbështetjes për fermerët fermerët tanë, duke integruar në tregun e përbashkët europian në segmente të caktuara vendet tona, duke e konsideruar Ballkanin Perëndimor si pjesë të veten kur vjen puna për të përballuar krizën e energjisë e me radhë. Është krijuar kjo nismë që nuk është asgjë tjetër veçse një njësi e zbatimit të Procesit të Berlinit.

Vuçiç u pyet edhe për Kosovën, nëse ka një plan se si mund ta bindë që të jetë pjesë e “Ballkanit të Hapur”. 

Vuçiç: Na thuhet po le të presin ata, më pas thonë që ne nuk duam të bëhemi pjesë për shkak të Vuçiçit, për shkak të Ramës, është okej. Nuk e keni për detyrë, askush nuk po ju detyron. 

Maqedonia e Veriut u përfaqësua nga zëvendëskryeministri Nikola Dimitrov, i cili tha se edhe në rast të një rotacioni politik në vendin e tij, Maqedonia nuk do të largohet nga ky proces. 

Dimitrov: Nuk shoh ndonjë rrezik për të dalë jashtë, është me rëndësi që vendi im të mbetet pjesë e kësaj nisme, është e rëndësishme për ekonominë tonë dhe për të ardhmen e rajonit.