Të burgosurit e Reçit duan amnisti të përgjithshme, 200 firma në tryezën e Ramës dhe Manjës
Shkarkimi i 60 për qind të gjyqtarëve e prokurorëve si pasojë e vettingut është bërë shkak për kërkesën e një amnistie të përgjithshme. 200 të burgosur që vuajnë dënimin në Shkodër pretendojnë se janë viktima të një sistemi të korruptuar që ka favorizuar personat që kanë para.
Fundi i vitit por dhe rezultatet e vettingut kanë rritur shpresat e të dënuarve me burg për një amnisti.
200 persona që qëndrojnë në burgun e Shkodrës tashmë i kanë nisur edhe një shkresë kryeministrit Edi Rama, kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla si dhe ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja.
Ndër të tjera në peticion nënvizohet se ata ndihen viktima të sistemit gjyqësor të paaftë e të korruptuar që po vuajnë dënime ekstreme e të pa drejta.
"Kërkojmë të vini dorën në zemër, të bëni akt mirësie ku të jepni një amnisti gjithëpërfshirëse", thuhet në shkresë ku shtohet se kësaj situate i shtohet edhe dhimbja për të afërmit që ata i kanë humbur për shkak të pandemisë.

Madje në peticionin e nënshkruar nuk mungojnë as akuzat për lirime apo dhënie të vendime të ulëta kundrejt rryshfetit.
Në fakt vendimi i fundit për amnisti ka qenë i vitit 2019, kur 175 gra të mitur e të moshuar përfituan nga ulja e dënimit.
Megjithatë të dënuarit e Shkodrës pretendojnë për një amnisti të përgjithshme që sipas tyre lind si pasojë e rezultateve të vettingut. Deri më tani nga lista e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë kaluar në verifikimin e pasurisë dhe figurës, rreth 60 për qind janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen.


