Kontrabandë në "rrugën ballkanike" Shkatërrohet grupi kriminal, arrestohen 15 persona
Një rrjet i gjerë kriminal që kontrabandonte emigrantë nga Lindja e Mesme nëpërmjet Ballkanit u godit nga Policia Spanjolle dhe ajo Europiane.
Forcat e rendit punuan me organet e Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Italisë, Rumanisë dhe Sllovenisë për të bashkërenduar punën.
Janë 17 anëtarë të identifikuar të rrjetit, nga të cilët 15 janë arrestuar, kryesisht të shtetësisë pakistaneze, kolumbianë, spanjollë dhe nga Rumunia, ku u gjet edhe lideri i grupit.
Operacioni për goditjen e rrjetit nisi në gusht të vitit 2020 kur një prej të dyshuarve u kap duke transportuar me furgon 53 emigrantë të paligjshëm.
Autoritetet kroate kryen goditjen tjetër duke zbuluar 77 emigrantë në kushte të rrezikshme brenda një kamioni.
Grupi përdorte rrugën e Ballkanit për të lëvizur refugjatët nga kampet boshnjake për në Itali apo në Spanjë me anë të furgonëve, ndërsa makina të veçanta i shoqëronin për t'i sinjalizuar në rast se kryheshin kontrolle policore.
Çmimi për një person në këtë itinerar kushtonte mes 5 dhe 8 mijë eurove, 3 mijë euro çmohej rruga nga Bosnja në Slloveni dhe mbërritja në destinacionin e fundit paguhej 20 mijë euro.
Europol njoftoi se ka një rritje të kontrabandimit të emigrantëve nëpërmjet rrugës ballkanike drejt Bashkimit Europian, ndërsa rrjeti në fjalë dyshohet se ka lëvizur rreth 400 persona duke përfituar ilegalisht rreth 2 milionë euro./Ora News/


