Anglia, vendi i parë në botë që miraton ilaçin kundër Covid-19
Mbretëria e Bashkuar ka miratuar ilaçin e parë kundër Covid-19. Tableta molnupiravir do t'u jepet dy herë në ditë pacientëve të infektuar me koronavirusin, shkruan BBC.
Në provat klinike, pilula, e krijuar fillimisht për të trajtuar gripin, zvogëlon rrezikun e shtrimit në spital ose vdekjen me rreth 50%.
Sipas të dhënave të publikuara në një njoftim për shtyp, provat klinike në 775 pacientë në studim zbuluan se: 7.3% e atyre që morën molnupiravir u shtruan në spital në krahasim me 14.1% të pacientëve të cilët morën një placebo ose pilulë bedel.
Në një deklaratë sekretari i Shëndetësisë në vend tha: “Sot është një ditë historike për vendin tonë, pasi Britania e Madhe është tashmë vendi i parë në botë që miraton një antiviral që mund të merret në shtëpi për Covid-in”.
Britania e Madhe ka rënë dakord që të blejë 480,000 kuti, ndërsa dërgesat e para pritet t’i arrijnë kah mesi i nëntorit.
Pilula duhet të jepet brenda pesë ditësh nga zhvillimi i simptomave, për të qenë më efektive.

