Studim:Vaksina HPV shpëton jetë, zvogëlon rastet e kancerit të qafës së mitrës me 90%

Vaksina e papiloma-virusit, e njohur ndryshe si HPV, po zvogëlon rastet e kancerit të qafës së mitrës me gati 90%, tregojnë të dhënat statistikore. Studiuesit britanikë  thanë se vaksina po shpëton jetë, duke I cilësuar këto gjetje “historike”. Pothuajse të gjitha kanceret e qafës së mitrës shkaktohen nga viruset dhe shpresa është se vaksinimi mund ta eliminojë sëmundjen.

Studimi, i botuar në revistën mjekësore  “Lancet”, analizoi të dhënat pas vaksinimit të vajzave midis moshës 11 dhe 13 vjeç, në vitin 2008 në Mretërinë e Bashkuar. Këto nxënëse tani janë në të 20-at e tyre. Studimi tregoi një ulje të numrit të rasteve parakancerogjene dhe një reduktim 87% të kancerit të qafës së mitrës.

"Ndikimi ka qenë i madh," tha Prof Peter Sasieni, një nga studiuesit në King's College në Londër.

Në përgjithësi, studimi konkludon se programi HPV ka parandaluar rreth 450 raste kanceri dhe 17,200 parakancerogjene. Prof Sasieni thotë se kjo është "vetëm maja e ajsbergut" sepse të vaksinuarit janë ende të rinj për t'u prekur nga kanceri, kështu që numrat do të rriten vetëm me kalimin e kohës.

Për momentin, gratë rekomandohen për një test çdo tre deri në pesë vjet për të kontrolluar kancerin e qafës së mitrës. Por Prof Sasieni thotë se pas këtyre rezultateve duhet detyrimisht "një thirrje zgjimi për politikëbërësit”.

Ekzistojnë gjithashtu më shumë se 100 lloje të papilomavirusit njerëzor. Mbretëria e Bashkuar filloi të përdorë një vaksinë që mbronte kundër dy prej tyre dhe është gati të prezantojë një që mbron nga nëntë viruse, përfshirë shkaqet kryesore të lythave gjenitale. Versionet që shkaktojnë kancer çojnë në ndryshime të rrezikshme në ADN-në e qelizave të infektuara që i transformojnë ato në kancer.

Më shumë se 100 vende kanë filluar përdorimin e vaksinës si pjesë e planeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për t'i afruar eliminimit të kancerit të qafës së mitrës./Ora News/