Dy shqiptarët tentojnë të marrin armën e paligjshme nga trafikanti, kapen “mat” nga policia
Dy shqiptarë janë kapur me një Mercedes teksa po udhëtonin drejt Liverpulit për të marrë një armë të tipit pistoletë.
Dominic Valerio, një trafikant kokaine dhe heroine, prezantoi Sefer Allushin dhe Erald Sida me James McGlade. McGlade kishte fshehur një pistoletë gjermane në rezidencën Toxteth të Thomas Lawler.
Hetuesit vëzhguan transaksionin dhe ndërhynë kur u dorëzua arma e zjarrit.
“Z. Valerio kishte planifikuar që zoti Allushi dhe z. Sida të udhëtonin në shtëpinë e z. Lawler për të marrë pistoletën dhe zoti Allushi dhe z. Sida u kapën jashtë me një Mercedes. Kur mbërriti policia, zoti Lawler sapo ia kishte transferuar pistoletën zotit Allushi, i cili e hodhi atë.” – tha prokurori i cështjes.
Valerio kishte telefonuar veçmas Allushin dhe McGlade një ditë më parë, duke përdorur dy numra të ndryshëm telefoni.
Gjatë operacionit, një nga policët vuri re një objekt të hedhur në ajër, teksa dëgjoi goditjen e metalit në beton duke dyshuar për një armë.
Sipas autoriteteve, në momentin e ndërhyrjes nga policia, McGlade doli nga dera e pasme dhe u hodh mbi një mur, duke prerë dorën e djathtë në tela me gjemba.
Ai hodhi edhe telefonin e tij, por gjithsesi u prangos nga policia, ndërsa gjatë gjyqit për Allushin dhe Sidën, pala mbrojtëse tha se një prej shqiptarëve kishte ardhur në Britani për një jetë më të mirë, ndërsa tjetri kishte aplikuar për azil.
