Arsenali bërthamor kinez, Pentagoni: Rritja do të jetë shumë më e madhe se parashikimi

Në raportin e tij të fundit Pentagoni amerikan rriti ndjeshëm vlerësimin për arsenalin e armëve bërthamore të Kinës gjatë viteve të ardhshme. Për Pentagonin, Pekini do të ketë 700 mbushje bërthamore më shumë deri në vitin 2027 dhe ndoshta 1000 deri në 2030-ën.

Rëndësia e këtij parashikimi është se brenda vitit ka një dyfishim të kokave bërthamore në parashikimin e raportit. Një vit më herët, ekspertët ushtarakë amerikanë parashikonin 400 mbushje bërthamore më tepër deri në fund të dekadës, ndërsa tani numri shkon në 1000 deri në vitin 2030.

Kina ka filluar ndërtimin e të paktën tre fushave të lëshimit të raketave balistike ndërkontinentale, shkruhet në raport.

Shifrat që parashikohen janë dukshëm më të vogla se stoku aktual bërthamor i SHBA-së, por për ekspertët ushtarakë ato përfaqësojnë një ndryshim të rëndësishëm në politikat ushtarake dhe të sigurisë kineze.

Kinezët kanë reaguar zyrtarisht për rastin. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Wang Wenbin e quajti raportin "plot me paragjykime".

Ameriknët i kanë bërë thirrje Kinës që t'i bashkohet asaj dhe Rusisë në një traktat të ri të kontrollit të armëve bërthamore, por deri më tani nuk ka pasur një marrëveshje zyrtare.

Në marrëdhënien mes Kinës dhe Amerikës, një pikë e nxehtë mbetet vendi ishullor, Tajvani. Në raportin vjetor amerikan për ushtrinë e Kinës, Pentagoni përsëriti shqetësimin për rritjen e presionit mbi Tajvanin, një ishull që Kina e sheh si një provincë të sajën, teksa kishte një vëmendje për programet kimike,  biologjike dhe përparimet teknologjike të Kinës.

“Potenciali që Kina të rrisë arsenalin e saj në këto nivele nënvizon domosdoshmërinë urgjente të bisedimeve pragmatike dypalëshe ose shumëpalëshe për të reduktuar rreziqet bërthamore”, tha Daryl Kimball, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Kontrollit të Armëve.

Kina thotë se arsenali i saj është i zbehtë nga ato të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe se është gati për dialog, por vetëm nëse Uashingtoni redukton rezervat e tij bërthamore në nivelin e Kinës.

Shtetet e Bashkuara kanë një rezervë prej 3,750 mbushjesh bërthamore./ORA NEWS/