Rusia vendos 90 mijë trupa ushtarakë pranë kufirit me Ukrainën

Ukraina deklaron se Rusia po mban mijëra trupa në kufi në përpjekjen për ta vënë atë nën presion.

Moska kreu disa stërvitje ushtarake në zonë, por sipas Kievit, rreth 90 mijë ushtarë rusë po qëndrojnë ende aty, gati 260 km në veri të kufirin ukrainas.

"Federata ruse vazhdimisht ndjek praktikën e transferimit dhe grumbullimit të njësive ushtarake në mënyrë që të mbajë në tension rajonin dhe për të ushtruar tryni politike te vendet fqinje," njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit u tha gazetarëve se prezenca e trupave ruse përcaktohet sipas nevojës.

Raportet mes Moskës dhe Kievit janë përkeqësuar nga viti 2014 kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë, që u pasua me një konflikt mes forcave qeveritare ukrainase dhe separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Nga përplasjet kanë humbur jetën mbi 13 mijë persona.

Pentagoni ka thënë se po e monitoron situatën dhe është në dijeni të mobilizimit të njësive ushtarake ruse.

Në muajin mars Rusia zbarkoi me mijëra trupa, pajisje të rënda, mjete detare dhe ajrore në kufi me Ukrainën dhe në Krime, duke rritur frikën e një pushtimi të mundshëm.

Kievi ka qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe Moska nuk do që ai të bëhet edhe pjesë e aleancës ushtarake të NATO-s./Ora News/