Super Benzema shtyn Realin drejt kualifikimit, Milani lan duart me Championsin
Karim Benzema mungoi vetëm një ndeshje, u la pushim nga Ancelotti dhe kjo zgjedhje ia shpërbleu më së miri trajnerit. Sulmuesi francez shkëlqeu në “Santiago Bernabeu” teksa me dy gola i dha 3 pikë të tjera Real Madridit që tashmë është vetëm 1 pikë larg kualifikimit në fazën me eliminim direkt.
Sfidën e hapi që në 14’ Benzema me një gol me portë bosh pas gabimeve të ukrainasve ndërsa në 39’, Fernando barazoi përkohësisht.
Në pjesën e dytë sërish francezi me një kombinim perfekt në zonë, shënoi të dytin dhe golin e fitores për Real Madrid, që pret i qetë sfidën e Sheriff ndaj Interit.
Në Grupin B, Milani mbyll aventurën në Champions, madje me shumë mundësi edhe në Europë pasi barazoi 1-1 me Porton në “San Siro”. Vetëm një fitore mund ta mbante në lojë ekipin e Piolit që gjithsesi krijoi dhe pati mundësi edhe pse nuk ia arriti.
Porto kaloi menjëherë në avantazh në minutën e 6’ me Luis Diaz duke ia bërë të vështirë Milanit që në pjesën e dytë barazon me një autogol të Mbemba në 61’.
Edhe pse bëri më të mirën, Milani nuk shkoi më shumë se 1-1 çka e nxjerr jashtë gare për Europën dhe mund të fokusohet i qetë për titullin në Serinë A./Ora News/.
