Trajneri Bosz: Pres më shumë nga Xherdan Shaqiri, është lojtar inteligjent

Në Francë shkruajnë kanë filluar kritikat e para për Xherdan Shaqirin. Sulmuesi shqiptar i transferuar këtë verë, në ditët e fundit të merkatos nga Liverpooli te Lyoni, ende nuk ka arritur të bëjë atë që të gjithë presin në këtë kampionat dhe mediat vendase kanë nisur të shkruajnë për formën e tij.

Gjithsesi, trajneri Peter Bosz del në mbrojtje të futbollistit të lindur në Gjilan dhe që përfaqëson Zvicrën teksa në Europa League në ndeshjen ndaj Sparta Prage do t’i jape më shumë hapësira, duke e hedhur si titullar.

“Është e qartë se mendoj se ai mund të bëjë më mirë. Por ai nuk e bëri fazën përgatitore me ne. Pastaj ai është një lojtar inteligjent, i cili ka një teknikë të jashtëzakonshme, veçanërisht në hapësira të vogla. Nëse luajmë më lart në fushë, do të luajmë në këto hapësira të vogla dhe jam i sigurt se ai do të shprehet më mirë", deklaroi trajneri i Lyonit.

Në ekipin francez ka konkurencë të madhe në repartin e avancuar dhe deri tani, Shaqiri ka luajtur në 10 ndeshje, jo të gjitha si titullar dhe ka shënuar vetëm 1 gol./Ora News/.