Derbi i parë i Kupës për Dinamon, Tirana pëson humbjen e parë
Dinamo fiton derbin me Tiranën. Në “Air Albania” u luajt përballja e pare e 1/8 të Kupës së Shqipërisë ku skuadra e Bledi Shkëmbit bëri më të mirën duke fituar me rezultatin e pastër 2-0, që i jep një avantazh të mirë drejt çerekfinales.
Menjëherë ndeshja ishte e hapur me të dyja skuadrat në sulm teksa në 28’, Ibraimi ekzekuton një penallti të fituar nga Skuka.
Tirana reagon dhe pretendon edhe ajo për një penallti por në 40’ pëson golin e nokautit ku sërish protagonist Skuka që shmang Bekajn dhe shënon me portën e boshatisur.
Pjesa e dytë është edhe më e bukur teksa Tirana ka shtuar presionin dhe sulmet në portën e Dinamos me Seferin dhe Limajn por portieri Bakaj u tregua shumë në formë sonte.
Teksa Tirana numëron rastet që humbet, Dinamo në 78 ka rastin e golit të kualifikimit ku në një kundërsulm, Demiri është vetëm përballë Bekaj, ky i fundit grushton dhe shpëton bardheblutë.
Minutat e mbetura, Dinamo mbrohet mire dhe në fund arrin të marrë një fitore me shumë vlera, derbin e pare me Tiranën ku për këta të fundit është humbja e parë sezonale. Pas një jave, dueli i kthimit ku Tirana duhet të bëjë mrekulli per të përmbysur rezultatin./Ora News/.
