Japonia voton, mbi 105 milionë japonezë zgjedhin anëtarët e dhomës së ulët të parlamentit

Japonia organizoi të dielën zgjedhjet e përgjithshme që do të jenë edhe testi i parë për kryeministrin e ri.

64-vjeçari, Fumio Kishida, kreu i Partisë Liberaldemokrate, ka thënë se pret të fitojë mbi gjysmën e 465 vendeve që ka dhoma e ulët e parlamentit.

Partia në pushtet gëzon avantazhe në arenën politike dhe rrjetin më të gjerë të mbështetësve, por pesë grupime rivale këtë herë po bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për ta dobësuar atë.

"Masat antikovid të Shinzo Abes dhe Joshihide Sugës ishin të çorganizuara. Vetë zgjodha një parti që mendoj se do të ndjekë politika më të mira," tha një votues.

"Masat janë të rëndësishme, por jam kundër politikave që na detyrojnë të vaksinohemi për të shkuar në aktivitete," tha një votues tjetër.

Japonia ka mbi 105 milionë votues, por deri në orën 11 të paradites, rreth 11 për qind u paraqitën për votim.

Të rinjtë mbeten një nga grupmoshat problematike për pjesëmarrjen e ulët.

"Ata e kanë frikë politikën. Është diçka që nuk e mësojnë në shkolla ose në mënyrë shumë të kufizuar. Për vajzat e reja është sidomos problem sepse mendojnë se kjo botë u takon meshkujve, dhe ato nuk shkelin dot," tha një student. Liberaldemokratët e kanë pushtetin thuajse tyrin që prej viteve 1950.

Përveçse është zotuar për masa kundër pandemisë dhe për vendet e punës për klasën e mesme, LDP-ja ka thënë se do që të rritë buxhetin për mbrojtjen ndaj kërcënimet që mund t'i vijnë nga Kina dhe Koreja e Veriut, ndërkohë që partitë opozitare janë fokusuar edhe te çështjet më sociale, si kauzat LGBT dhe mbajtja e mbiemrave të ndryshëm nga bashkëshortët.