Liderët e 20 ekonomive më të mëdha bëjnë marrëveshje për një normë globale: Tatimi për korporatat mbi 15%
Duke nisur nga viti 2023, bota do të tekë një tatimfitim të njësuar mbi korporatat e cila nis nga 15 për qind. Vendimi u mor nga udhëheqësit e G20-ës gjatë një samiti në Romë ku u trajtuan edhe çështjet si kriza klimatike, pandemia dhe rreziqet bërthamore prej Iranit.
Liderët e 20 ekonomive më të mëdha në botë kanë arritur një marrëveshje globale për ta vendosur tatimfitimin për korporatat të paktën 15 për qind.
Pakti historik u firmos në kuadër të samitit të G20-ës në Romë.
Marrëveshja u propozua nga Shtetet e Bashkuara pas shqetësimeve se kompanitë shumëkombëshe, si Amazon apo Facebook, po i transferojnë fitimet në shtetet që kanë taksat më të ulëta.
"Këtu në G20, udhëheqësit që përfaqësojnë 80 për qind të PBB-së së botës, bënë të qartë mbështetjen e fortë për një taksë minimale globale. Ky është më shumë sesa një pakt fiskal: nëpërmjet diplomacisë po i japim tjetër formë ekonomisë globale dhe po flasim në emër të popujve tanë," shkroi në Twitter Presidenti amerikan Joe Biden.
Samiti dyditor i fundjavës u hap nga kryeministri italian, Mario Dragi, dhe u fokusua edhe në çështje si klima dhe pandemia.
Për klimën, një projekt-komunikatë e zbuluar nga agjencia "Reuters" tregoi zotimin e vendeve për uljen e gazrave serrë në atmosferë.
Për pandeminë, vaksinimi i 40 për qind të popullsisë globale kundër Covid-19 është një nga objektivat e OBSH-së.
"Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për sfidat që përballim bashkërisht. Pandemia nuk ka mbaruar dhe ka dallime të thella në shpërndarjen e vaksinave. Në vendet me të ardhura të larta, mbi 70 për qind kanë marrë të paktën njërën dozë, ndërsa te më të varfrat, përqindrja zbret në afro 3," tha kryeministri italian Mario Draghi.
Liderët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë u takuan të shtunën të diskutojnë edhe për kërcënimin ndërkombëtar siç është armatimi bërthamor i Iranit.
Teheranit iu bë thirrje të ndryshojë qëndrim dhe të rihyjë në marrëveshjen e vitit 2015 për të evituar përshkallëzimin e situatës.
