'Ndihem i lirë' Refugjatët LGBT afganë mbërrijnë në Angli
Ndihem si "një qenie njerëzore për herë të parë" në jetën time, tha një afgan homoseksual pasi mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar me 28 të tjerë nga komuniteti LGBT.
Burri, emrin e të cilit BBC nuk po e përmend për arsye sigurie, u largua nga Afganistani, nga frika për jetën e tij, që kur talibanët morën pushtetin e vendit më 15 gusht.
Grupi islamik i linjës së ashpër u kthye në pushtet në gusht, pasi trupat e udhëhequra nga SHBA u larguan pas një prezence 20-vjeçare.
Të premten (29 tetor), një zëdhënës i talibanëve i tha agjencisë së lajmeve Reuters se grupi nuk do të respektonte të drejtat e homoseksualëve.
“Gjithçka u shkatërrua pas rënies së Kabulit”, tha burri për BBC.
“Isha në depresion, numëroja ditët për të vdekur. Isha i huaj në shtëpinë time dhe në shtratin tim. Ndjeva se isha i huaj në vendlindjen time, Kabul."
Kthimi i talibanëve shkaktoi një eksod masiv të popullatës, që besonin se do të ishin në rrezik nëse do të qëndronin, duke përfshirë njerëz që bashkëpunuan ngushtë me SHBA-në dhe aleatët e saj, dhe një numër grash të profilit të lartë.
Anëtarët e komunitetit LGBT po përpiqen gjithashtu të largohen, të pasigurt për të ardhmen e tyre nën sundimin taliban.
Hera e fundit që grupi ishte në pushtet, midis 1996 dhe 2001, meshkujt homoseksualë thuhet se u vranë me gurë./ORA News/



