Kriza energjitike, OSHEE kërkon ndihmën e Policisë kundër vjedhjes së energjisë

Pas shpalljes së krizës energjetike, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit për t’iu rikthyer aksioneve antivjedhje në vend. Drejtori i rendit publik, Ylli Vasili, tha se deri në këtë fazë janë arrestuar 44 persona për vjedhje të energjisë.

Prej më shumë se 2 javësh, Policia e Shtetit në bashkëpunimim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë elektrike ka nisur punën në terren për evidetimin dhe goditjen e çdo rasti ku konstatohet vjedhje e energjisë elektrike.

Drejtori i rendit publik në policinë e shtetit, Ylli Vasili, tha se ky aksion është prioritet i Qeverisë shqiptare dhe pas urdhrit të dhënë ka filluar edhe puna në terren.

"Ky është një prioritet i qeverisë shqiptare, Ministrisë së Brendshme dhe policisë së shtetit. Drejtoria rajonale e një qyteti, qarku bashkëpunon në mënyrë të ngushtë me drejtorinë vendore të policisë së atij qarku. Janë krijuar grupe të përbashkëta që çdo ditë shkëmbejnë informacione për verifikimin, evidentimin dhe problematikat që shfaqen në drejtim të veprës penale, vjedhja e energjisë elektrike."

Po ashtu drejtori Vasili bëri publik edhe rezultatet e punës deri në këtë fazë.

"Janë 162 raste të ervidentuara deri tani, 44 shtetas të arrestuar, 85 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 28 shtetas të shpallur në kërkim."

Vasili bën apel për çdo person që të telefonojë Policinë e Shtetit për çdo person që dyshohet se po kryen veprën penale të vjedhjes së energjisë.

Vjedhja e energjisë në Kodin Penal dënohet me burg deri në 3 vite, ndërsa kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim më shumë se një herë, nga përdoruesit jo familjarë, dënohet deri në 5 vite burg.