Video/ Bayern bën autokritikë. Mund 5-2 Union Berlin, fiton edhe Dortmundi
Në javën e 10 të Bundesligës, pritej një përgjigje nga Bayern Munchen pas turpërimit që pësoi në Kupë duke u eliminuar. Bavarezët dhanë një përgjigje të forte duke mposhtur Union Berlin 5-2 në transfertë me 2 gola të shpejtë të Lewandowskit që i hapi rrugë suksesit.
Sane, Coman dhe Muller shënuan golat e tjerë për bavarezët ndërsa Giesselman dhe Ryerson ishin autorët e golave për vendasit.
Fitorja mban në krye Bayernin me 25 pikë teksa Dortmundi nuk lëshon asgjë duke ndjekur rivalët me 1 pikë më pak pas fitores me rezultatin e pastër 2-0 ndaj Kolnit në shtëpi. Hazard dhe Tigges shënuan para tifozëve në fitoren që i jep qetësi ekipit edhe pse nuk ka bomberin Haaland.
Në ndeshjet e tjera, Leverkusen u mund 0-2 nga Wolfsburg, Freiburg vijon të surprizojë me suksesin 3-1 ndaj Greuther dhe Bielefeld u mund 1-2 nga Mainz./Ora News/.
