Milan dhe Inter me stadium të ri, mësohet se kur do të jetë gati impianti modern

Pas shumë historish “tërhiq e mos e këput”, më në fund Bashkia e Milanos ka dhënë miratimin e saj për ndërtimin e stadiumit të ri për Interin dhe Milanin që do të ndajnë impiantin modern siç kanë vepruar me “San Siron”.

Ishte Beppe Sala, numri 1 i Milanos që dha lajmin për marrëveshjen me dy drejtuesit e klubeve, Antonello dhe Scaroni me të cilët u hap rruga për lejen e fundit, atë të organeve të Bashkisë që do të votojnë për fillimin e ndërtimit por me disa kushte.

Është rënë dakord për kapacitetin, volumin dhe sipërfaqen që do të zërë impianti i ri dhe gjithashtu klubet do të rikualifikojnë zonën ku ndodhet “San Siro”, në një hapësirë të gjelbër, në shërbim të komunitetit por edhe kjo e fundit me disa kushte.

“San Siro” nuk do të shembet para vitit 2026, kur janë dhe Lojërat Olimpike Dimërore, ceremoni që do të zhvillohet këtu, dhe që do të jetë eventi i fundit madhor e më pas mund të shembet për të zhvilluar zonën.

Milan dhe Inter me stadium të ri, mësohet se kur do të jetë

Shembja e vonshme e stadiumit aktual nuk do të pengojë punën për ndërtimin e të riut i cili ende nuk është përzgjedhur por me shumë gjasa do të jetë projekti “Populos” për ndërtimin e një “Katedraleje” futbolli siç është dhe në foto. Punimet për impiantin pritet të përfundojnë për 3 vite nga nisja e tyre./Ora News./