Italia rigjen normalitetin pas Covid, nisin spektaklet në Teatër

Italia rigjen normalitetin e jetës së para Covid dhe e bën në mënyrën më të mirë, duke vlerësuar artin, kulturën e krijimtarinë artistike tradicionale.

Sistemi prodhues i krijimtarisë kulturore në Itali, vlen 6.1 % të PPB së vendit, me rreth 1.5 milionë punonjës e mbi 400 mijë kompani e sipërmarrje që gjatë pandemisë globale jetuan një krizë të fortë financiare. 

Pas shumë muajsh izolim me teatrot, kinematë e aktivitete kulturore të pezulluara, Italia nis këtë sezon të ri artistik, me një risi absolute.

Në qytetin më të rëndësishëm të Italisë së Lashtë, dikur kryeqytet i Mbretërisë së Napolit, e më pas i Mbretërisë së dy Sicilive, sapo është inauguruar Teatri i Këngës Napoletane së bashku me "Dhomën e Mrekullive", një hapësirë virtuale unike për vizitorët e turistët.

Këngëtarja e prezantuesja televizive, Marisa Laurito njëkohësisht edhe drejtoreshë e këtij Teatri, shprehet se kishte mbi 30 vite që dëshironte të realizonte këtë projekt.

"E gjeja të pabesueshëm realitetin se në një qytet si Napoli, me një muzikalitet kaq të rëndësishëm mos të kishte një strukturë të tillë, siç gjen në çdo vend tjetër të botës. Në Vienë ka vende ku kërcehet valsi, në Portugali ku performohet muzika fado, në Spanjë interpretohet flamengo. Në Napoli ky qytet unik që e njohim të gjithë nuk kishte një strukturë të tillë. Vendosëm të hapim Teatrin e Këngës Napoletane në Napoli e që do të jetë një vend me një potencial të fuqishëm për ekonominë e turizmin.

Niveli artistik është mjaft i lartë me këngëtarë e artistë të jashtëzakonshëm , më të mirët e këngës napoletane. Janë të jashtëzakonshëm pasi kanë konservuar një traditë që nuk e kanë të tjerët. E kjo është pasuri e çmuar, një thesar që duhet kuruar me shumë vëmendje e që duhet ruajtur me shumë kujdes në një kasafortë arti, por që e ofrojmë me shumë dashuri për publikun e apasionuar e të kulturuar, për të huajt që kanë kërshërinë të vizitojnë e të njohin qytetin tonë," tha ajo.

Për të inauguruar këtë Teatër është zgjedhur një spekaktël me një repertor unik.

"Është hera e parë që në Napoli ka një Teatër dedikuar reportorit të madh e të jashtëzakonshëm të këngës sonë Napoletane. Ky spektakël do të jetë në skenë për disa ditë e do të rikthehet përsëri në skenë, në festat e fundvitit. Publiku ka reaguar mjaft mirë, gjë që shpreh se aty ku arrin bukuria, frika kthehet pas."

Spektakli i parë në një premierë botërore të Këngës Napoletane  është quajtur "Adaggio D'amore", titull që evokon ekzekutimin e një pjese të muzikës klasike, por që përmban këngë dashurie universale për historinë e Napolit, vendet simbolike, traditën popullore të të kënduarit në dritare, në ballkone, në pragje dyersh, në sheshe e rrugica.  

Regjizori Bruno Garofano thotë se ky spektakël është një prelud napoletan pas një momenti kaq dramatik për të gjithë njerëzimin, për Italinë e për botën e spektaklit.

"Ishte një detyrim i të gjithëve ne, për të rikuperuar pasurinë e çmuar të shpirtit e artit muzikor napoletan.

Repertori i muzikës napoletane nis nga fillim shekulli i XIX. Ndaj dhe ajo çfarë i ofrohet artdashësve është në një gamë të gjerë

"Oh kam dy o tre që nuk i ndaj dot nga njëra-tjetra. Është kënga "Era di maggio" që ishte dhe kënga e preferuar e mjeshtrit Luciano de Crescenzo (shkrimtar e regjizor), e që rrëfen historinë e dashurisë e lamtumirës së dy të rinjve gjatë muajit maj. E këngët "Mandoline a Napoli, "Quando tramonta il sole", por dhe të tjera," tha Marisa Laurito.

Por Teatri i ri i Këngës Napoletane, sjell dhe inovacionin teknologjik të arkivit historik të kësaj muzike tradicionale. Së bashku me spektaklin "Adagio Napoletano" është inauguruar "Dhoma e mrekullive", një hapësirë virtuale e dixhitalizuar e arkivit të muzikës së këngës napoletane nisur që nga fundi i viteve të '800. 

Janë dokumente të kësaj epoke e deri në 1940 ku gjejmë dhe numrin më të madh të poetëve e të muzikantëve të muzikës napoletane. Cdo këngë e intepretuar në ekranet e dixhitalizuara janë brenda kornizave të kuadrove kryevepra të pikturës së '800 e që janë një vlerë e shtuar e këtij arkivi.

Skenografia unike e vendeve simbol të qytetit të Napolit, melankonia, alegoria e këngëve, si dhe interpretimi autentik i artistëve vendas, e bën këtë spektakël unik, e prezantuesin më kuptimplotë të artit pas një periudhe të vështirë për humanizmin.