Covid-19 përkeqëson diabetikët, mjekja: Po shfaqet edhe te ata që nuk e kishin më parë

Infektimi me covid-19 te ata që vuajnë nga diabeti ka rënduar shëndetin e tyre. Gjatë periudhës së pandemisë është venë re se pas infektimit me covid, diabeti është shfaqur edhe te ata që nuk kanë vuajtur më parë. Endokrinologët thonë se të gjitha moshat janë të rrezikuara prej kësaj sëmundje kronike.

Coronavirusi nxori në pah disa sëmundje të fshehura te ata që u infektuan,  po gjithashtu ndikoi negativisht edhe të shëndeti i pacientëve me sëmundje kronike.

Diabetikët ishin ndër më të rrezikuarit, pasi virusi në shumë raste përkeqësoi shëndetin e tyre.

Blerina Dyrmishi, mjeke endokrinologe në spitalin Hygeia thotë se nuk kanë munguar as rastet kur për shkak të coronavirusit është shfaqur diabet edhe të ata që më parë nuk e kanë pasur.

“Infektimet me covid kanë çuar në raste të panjohur amë parë të diabetit që nuk kanë qenë, për shkak të ndryshimeve që sjell covid në pankreas.”

Nëse dikur kjo sëmundje kronike prekte kryesisht grupmoshat mbi 45 vjeç, sot flasim për një prekje më të gjerë, edhe te moshat më të vogla janë njësoj të rrezikuara.  

“E gjejmë në çdo moshë për shkak të jetesës sedentare dhe stilit të jetës, duke bërë që të ulen këto mosha, jo vetëm te ata mbi 40 vjeç.”

Endokrinologia Dyrmishi këshillon që pacientët me diabet, duhet të mbajnë në monitorim të vazhdueshëm gjendjen e tyre shëndetësore, në mënyrë që të mos ketë përkeqësim.