“Revoltë” anti-Covid në burgje

Masat anti-Covid kanë revoltuar të dënuarit në në burgjet e Peqinit dhe Burrelit. Të burgosurit kanë nisur greva urie për të kërkuar më shumë se një takim në muaj me familjarët të cilët duhet të jenë të vaksinuar ose të paraqesin tampon negativ për koronavirusin.

Të burgosurit kanë nisur protestat kundër rregullave të forta që po zbatohen në institucionet e vuajtjes së dënimit gjatë pandemisë së koronavirusit.

Për të dytën ditë me radhë të burgosurit në burgun e Peqinit kanë refuzuar ushqimin për shkak të ndalimit të takimeve me familjarët si rezultat i masave anti-Covid të vendosura nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Në burgun e Sigurisë së lartë në Peqin, mësohet se janë rreth 150 të dënuar në grevë, kryesisht në Godinën B, ku vuajnë dënimin persona që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë dhe kanë kryer vepra të rënda penale.

Ata kërkojnë rritjen e numrit të takimeve mujore, të rikthyera prej qershorit pas ndalimit gjatë pikut të pandemisë vitin e kaluar dhe zgjerimin e rrethit familjar të lejuar për vizitë.

Drejtues të institucionit të vuajtjes së dënimit të kontaktuar nga Ora News  pranojnë protestën që ka nisur nga e marta, por thonë se numri i atyre që kanë refuzuar ushqimin në mëngjes ka qenë më i ulët.

Sipas rregullores në fuqi, të burgosurit janë të drejt të takojnë anëtarë të familjes vetem një herë në muaj.

Vizitori duhet të jetë i vaksinuar kundër koronavirusit ose të paraqesë teste që konfirmojnë se nuk është mbartës i virusit vdekjeprurës.

Greva e të dënuarve për zbutjen e masave anti-Covid dhe shtimin e takimeve me familjarët nisi nga burgu i Burrelit, të cilët kërkesat tashmë i kanë dërguar në rrugë zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë.