Debat dhe akuza te Ligjet/ Zv.ministri Bejtja: Ke vrarë një njeri në Elbasan; Bardhi: Hajdut
Qeveria mohon të ketë prangosur 38 mijë qytetare në fushatën e ndërmarrë në 2014-tën kundër vjedhjes dhe debitorëve të energjisë elektrike.
Zv/ministri i Energjisë, Ilir Bejtja, nga Komisioni i Ligjeve kur po dikutohej Eurobondi i ri prej 70 milione eurosh, u përfshi në debate të forta me opozitën, deputetët e së cilës i kujtuan se ka debitorë që vrane veten nga pamundesia për të paguar dritat.
Bejtja: 38 mijë qytetarë në burg, kjo vlen vetëm për Kinën. Gjithsej ne kemi kallëzuar penalisht 2100 veta, mes tyre 700 punonjës tonë. Burg 48 orë mund të kenë bërë 10 veta. Këto kanë qenë vjedhës të energjisë elektrike. Për 35 mijë lekë të vjetra nuk varet njeri.
Bardhi: Sapo fyet një të vdekur. Nxirreni përjashta. Të kërkojë falje njëherë pastaj të vazhdojë.
Pavarësisht ndërhyrjes së kryetares Klotilda Bushka, debati mes Ilir Bejtjas dhe Gazment Bardhit degradoi ne akuza per vrasje dhe vjedhje.
Bejtja: Ti ke vrarë një njeri në Elbasan dhe s’ke kërku falje akoma.
Bushka: Do e ndërpres mbledhjen.
Bardhi: Kujt ja tregon ti?
Bejtja: Ty ta tregoj mor, ty ta tregoj.
Bardhi: Ik mor hajdut.
Përtej debatit që shkaktoi edhe ndërprerje të Komisionit të Ligjeve, në këtë seancë u miratua në errësirë me votë unanime marrja e borxhit me një vlerë prej 70 milionë eurosh.
Shkak i ndërprerjes së energjisë elektrike sipas OSHEE ishte zjarri që përfshiu një kabine elektrike pranë kullave binjake në Tiranë.
Vitin 2020, OSHEE e mbylli me një humbje prej 2.4 miliardë lekësh të reja për shkak të uljes së nivelit të arkëtimeve në 93.4%, ndërsa investimet ranë në 63%.
Ndërkohë borxhi në total i institucioneve ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike shkon ne 20.3 miliardë lekë.
