Varfëria detyron familjet të shesin vajzat e mitura për martesë, nëna: Prej urisë dhe borxhit e shita për 3 mijë dollarë vajzën time
Uria e skajshme po i shtyn afganët e varfër që të shesin vajzat e tyre për disa qindra dollarë për të mbijetuar.
Martesat që në fëmijëri praktikohen prej shekujsh në Afganistan, por lufta e fundit dhe thatësira e madhe prej klimës, po bëjnë që vajzat e vogla të jepen me para që në moshë fare të mitur.
Gul Bibi, nëna e një vajze tetëvjeçare, thotë se e shiti atë për martesë te një 23-vjeçari për t'i larë borxhin familjes.
"Kjo është vajza ime. E shita për 3 mijë dollarë prej urisë dhe borxhit. Pas disa ditësh do të vijë burri që e bleu për ta marrë në shtëpinë e vet. E di që nuk është veprimi i duhur, as për Zotin, as të dërguarin e tij, por nuk ka zgjidhje."

Në një tjetër kamp të shpërngulurish nga lufta dhe varfëria, Mohamedi dhe Kajlani kanë shitur secili nga dy vajza.
Ata jetojnë familjarisht në kampin e përkohshëm në një provincë të varfër.
"Kam shitur dy vajza, njëra gjashtë dhe njëra nëntë. Ka uri dhe mjerim të madh në këtë kamp, prandaj e bëra. Nuk i shohim prej një viti, sepse nuk kemi para për rrugën, t'i takojmë e të kthehemi."
"Vajzën time, Naxhibenë, e dhashë për 500 dollarë. Burri i saj më ka lënë 250 dhe po s'ma pagoi të gjithë shumën, do ia marru vajzën. Ndërsa Nazinë e dhashë dy vite më parë për 1,100 dollarë. Tani burri i saj ka mbetur pa asgjë dhe vijnë të hanë me mua."

Talibanët e pushtuan Afganistanin dy muaj më parë dhe thonë se martesat e të miturve janë një problem ekonomik, jo një rregull që e kanë vendosur ata.
Kriza ushqimore po godet si qytetet edhe zonat rurale dhe po i detyron banorët të këmbejnë sendet personale me bukë.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 23 milionë afganë këtë dimër rrezikojnë zinë e bukës dhe për t'i ushqyer pjesërisht do të kenë për muaj nevojë për mbi 200 milionë dollarë ndihma./Ora News/


