Facebook kontrollon 3 miliardë njerëz

Më shumë se 3 miliardë njerëz kontrollohen nga Mark Zuckerberg përmes Facebook-ut, u tha sinjalizuesja Frances Haugen përfaqësuesve të delegacionit britanik qëpo heton akuzat e saj.

Megjithatë, ish-punonjësja e  Facebook bëri thirrje për një autoritet të jashtëm rregullator që do të zvogëlojë dëmin e shkaktuar nga gjiganti i teknologjisë në shoqëri. 

Ajo gjithashtu vendosi të flasë në Britani,  në një kohë kur vendi po kërkon një mënyrë për të rregulluar platformat e rrjeteve sociale.

Haugen ka zbuluar dhjetëra mijëra dokumente konfidenciale të kompanisë në lidhje me funksionimin e brendshëm të Facebook, duke pretenduar se kompania vendosi interesat e saj financiare mbi mbrojtjen e përdoruesve. 

Haugen tha se nëse nuk gjendet një zgjidhje, media online do të funksionojë në interes të aksionerëve dhe jo në interes të publikut.

Ajo gjithashtu paralajmëroi se media të tilla si Instagram dhe Facebook mund të mos jenë të sigurta për fëmijët para adoleshencës. 

Haugen gjithashtu argumenton se Facebook funksionon si një mjet për polarizimin e bindjeve politike, pasi përmban një sërë shërbimesh, siç janë grupet.

Nëpërmjet këtyre grupeve, inkurajohen disa njerëz që ushqejnë teoritë e konspiracionit:

"Jam thellësisht e shqetësuar që ata kanë krijuar një produkt që mund t'i largojë njerëzit nga komunitetet e tyre reale".

Përsa i përket Instagramit, ajo pohoi se ka një efekt negativ tek të rinjtë pasi i kushton shumë rëndësi pamjes dhe stilit të jetesës, gjë që është e dëmshme për fëmijët e vegjël.

Facebook është i drejtuar nga fitimi

Haugen argumentoi se Facebook nuk ishte i gatshëm të sakrifikonte fitimet e tij dhe shumë herë punonjësit e tij detyroheshin të merrnin vendime të gabuara sepse qëllimi ishin paratë.

Mirëpo, një përfaqësues i kompanisë Facebook ka nxituar t'i përgjigjet akuzave të ish-punonjëses, duke thënë se: “Po, ne jemi kompani fitimprurëse, por kjo nuk bëhet në kurriz të sigurisë apo prosperitetit të njerëzve”.

Një zëdhënës i Facebook u bëri jehonë fjalëve të vetë Zuckerberg, duke thënë se kompania kishte investuar "13 miliardë dollarë dhe ne kemi mbi 40,000 njerëz me një detyrë dhe të vetme: t'i mbajmë njerëzit të sigurt në Facebook".