Erdogan "zbutet" me perëndimin. Sapo tërhoqi dëbimin e ambasadorëve, lira turke u rrit sërish
Turqia është tërhequr nga vendimi për dëbimin e 10 diplomatëve perëndimorë, pasi Amerika dhe disa shtete europiane lëshuan të hënën deklarata se do e respektojnë konventën që u mohon diplomatëve të tyre të ndërhyjnë në punët e brendshme të një vendi tjetër.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, kërkoi në fundjavë që ambasadorët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Kanadasë dhe të tjerë të shpallen "non grata" pse apeluan të lirohej biznesmeni, Osman Kavala, i cili sipas tyre mbahet politikisht në burg për financimin e protestave antiqeveritare dhe për tentativën e një grushti shteti.
Presidenti Erdogan tha se qëllimi i Turqisë nuk është të krijojë kriza, por të mbrojë të drejtat, nderin dhe sovranitetin e vet.
"Deklarata e sotme nga këta ambasadorë na tregon se kanë bërë një hap pas nga shpifjet kundrejt shtetit dhe sistemit tonë të drejtësisë. Besoj se tani e tutje do të jenë më të kujdesshëm me qëndrimet e tyre."
Përplasja e fundit diplomatike u reflektua të hënën në bursa duke ulur në nivel rekord vlerën e monedhës kombëtare.
Pas kompromisit të shpallur nga Erdogani, lira turke u rrit sërish.
Shtetet perëndimore nuk janë të vetme që kanë kërkuar lirimin e filantropit Kavala, pasi edhe Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjykuar në vitin 2019 se nuk ka dyshime të arsyeshme kundër 64-vjeçarit, përveçse për t'i ndërprerë fjalën një opozitari.



