Drejt Italisë me dokumenta false, arrestohen në portin e Vlorës egjiptianët

Tre shtetas egjiptianë kanë rënë në prangat e policisë së portit të Vlorës në tentativë për të kaluar me dokumenta false.

"Sherbimet e Policisë Kufitare në Portin Vlorë, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, shtetasit e huaj Egjiptian A. G, E. H, dhe M. E, të cilët udhëtonin sëbashku me nje automjet tip “Opel”me drejtues shtetasin A. G, në drejtim të tragetit të linjës Vlorë Brindisi" njofton policia.

Ora News mëson se bëhet fjalë për shtetasit  Abdelsattar Gad, Esam Hegazy dhe Mahmoud Elagëany.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtyre 3 shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi 2 leje qëndrimi dhe 2 karta identiteti të cilat iu përkisnin shtetasve E. H. dhe M. E, të dyshuara të falsifikuara.

Ndërkohë, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi A. G, ka ndihmuar dy shtetasit e tjerë të shtetësisë egjiptiane duke i transportuar si pasagjer në automjetin e tij, me qellim për të kaluar kufirin për në shtetin Italian.

Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. G, 23 vjeç, banues në Itali, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshem të kufirit”, dhe E. H., 30 vjeç dhe M. E., 33 vjeç, të dy banues në Egjipt, për veprat penale  “Falsifikimit të leternjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.