Vrasja në Fier, Salianji: Policët e thjeshtë janë të tradhtuar nga drejtuesit e tyre, përdoren politikisht nga kryepolici Rama
Biznesmeni Demir Backa, u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës (23 tetor) pasi u qëllua me breshëri kallashnikovi brenda në automjetin e tij tip "Audi" ndërsa ishte duke parkuar pranë ish-QTU në Fier.
Deputeti i PD-së Ervin Salianji reagoi lidhur me këtë ngjarje kriminale përmes një postimi në rrjetin social Facebook shprehet se "Qeveria jo vetëm është e paaftë të mbrojë jetën, pronën dhe rendin por reagimet e saj janë të vobekta duke i kaluar ngjarjet si normalitet."
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News me gazetaren Anila Zyberaj, Salianji u shpreh se lajm përbëjnë ditët kur nuk ka ngjarje kriminale.
Salianji: Po ndodhin aq ngjarje të tmerrshme kriminale në çdo cep të territorit, sa ngjarja po mbulon ngjarjen në mënyrë ciklike dhe nuk po arrihet të kuptohet se çfarë po ndodh. Vrasjet e stilit mafioz janë shtuar, pasiguria e jetës dhe pronës, pasiguria e çdo elementi që përbën rendin e sigurisë publike bën që krimi mos ketë frikë dhe ta shohë si ortakëri me qeverinë. Shqipëria përveç pasigurisë që kanë shqiptarët nga ana ekonomike dhe sociale kanë edhe pasiguri të niveleve alarmante të sigurisë publike.
Deputeti u shpreh se "në ngjarjen e Fierit, si në çdo ngjarje tjetër kriminale kapet vetëm makina e djegur, gjendet se as ajo nuk kapet dhe nuk ka asnjë element për autorët."
Salianji: Fakti që nuk ka asnjë të dyshuar tregon që krimi jo vetëm është në revansh, por është shumë përpara policisë së shtetit. Policët e thjeshtë janë të tradhtuar nga drejtuesit e tyre, të cilët politikisht përdoren nga kryepolici i Shqipërisë që është Edi Rama. Kjo tregon një bilanc të frikshëm dhe ankth për fuqinë që kanë bandat dhe krimi i organizuar të cilët mund të zgjedhin të eleminojnë cilindo dhe as mos kapen dhe as mos gjenden gjurmët e autorëve të këtyre krimeve.
Sipas Salianjit problemi qëndron te drejtuesit e policisë së shtetit. Autoriteti i shtetit është vënë përfund, shprehet ai.
Intervistoi Anila Zyberaj, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
