Integrimi i personave me aftësi ndryshe në tregun e punës, fëmijët optimistë tregojnë aftësinë e talentin
Tregu i punës në Shqipëri është shpeshherë i vështirë dhe sfidues për personat me aftësi ndryshe. Për këtë arsye, nuk mungojnë nismat për të rritur mundësinë e punësimit ndërkohë që gjatë prezantimit të njërës prej tyre, vetë fëmijët me aftësi ndryshe u shprehën kërkues dhe optimist për të ardhmen duke ekspozuar talentin dhe aftësitë e tyre.
Kjo është Belkisa, 12 vjeç e diagnostikuar me sindromën Down. Pavarësisht sfidave ajo thotë se është e vendosur për të ardhmen. Talent ka edhe pikturën .
Zhvillimi profesional i personave me aftësi ndryshe në Shqipëri vijon të jetë sfidë më vete. Një treg punësimi gjithëpërfshirës është ajo çka synohet. Por si paraqitet situata aktualisht?
"Mungesa e shërbimit të detyron të thuash është katastrofike sepse nuk ke ku të marrësh shërbim veçse në privat."
Një pyetësor i plotësuar nga fëmijë me aftësi të kufizuara ishte pikënisja e një nisme të re që ka si qëllim këshillim karriere për këtë kategori dhe një punë të madhe që duhet bërë në këtë aspekt.
"Suksesi i parë është nisma e prindërve, kur prindërit janë në rregull që të ketë nisma të tilla edhe fëmija do ndihen të integruar."
E ndërsa Elda e diagnostifikuar me epilepsi dhe paralizë cerebrale infantile është studente në vitin e 2 në Universitetin Bujqësor. Krahas studimeve dhe shpresës për punësim ajo thotë se ka një mision shumë të rëndësishëm.
"Kam qejf të ndihmoj të tjerët, personat e tjerë me aftësi të kufizuara."
Shkalla e integrimit të personave me aftësi ndryshe është një prej treguesve për nivelin e emancipimit dhe zhvillimit të shoqërisë.
