Vetingu i politikanëve, Lapardhaja: Ka ardhur koha që drejtësia të funksionojë për të gjithë

Kryetari i PD-së Lulzim Basha njoftoi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së në 9 shtator. Ky vendim, në kundërshtim me statutin sipas zotit Berisha i hapi rrugën një "beteje" të brendshme mes ish-liderit Berisha dhe zotit Basha.

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Namir Lapardhaja i ftuar në studion e RTV Ora me gazetarin Sebastian Zonja u shpreh se Berisha është një personalitet dhe një lojtar i peshave të rënda në politikë, sidomos brenda së djathtës.

Lapardhaja: Berisha po e tregon që ka pasur një impakt dhe një peshë mjaft të madhe brenda opozitës. Nga ana tjetër është lideri legjitim Basha i cili nëse ka një moment për ta treguar dhe shndërruar në liderin dieal të PD-së është pikërisht ky moment. Demokratët përballë kësaj "beteje" janë pozicionuar qoftë me doktorin, qoftë me liderin zyrtar ndërsa një pjesë janë shokuar me atë që po ndodh.

Sipas tij, demokratët janë përballë asaj që kanë besuar dhe asaj që po ndodh.

Lapardhaja: Demokratët nuk e meritojnë këtë lloj sjelljeje dhe nuk e meritojnë këtë lloj qasjeje ndaj kryetarit në detyrë sepse mirë keq Basha është kryetari legjitim.

Sipas zotit Lapardhaja shoqëria dhe Ballkani janë mësuar me lider të fortë, por në këndvështrimin e tij ne nuk kemi nevojë për lider të fortë dhe për modele ballkanike.

Lapardhaja: Ne kemi nevojë për lider norma, për qeveritarë normal. Ne kemi nevojë për njerëz që respektojnë institucionet, forumet, ligjet e shtetit dhe partisë. Problemi i Bashës është se ka zgjedhur të mbajë një qëndrim disi të tërhequr, por ky është momenti që ai të dalë dhe të thotë disa të vërteta, të dalë dhe të sqarojë demokratët. Shqipëria nuk e ka luksin të mbetet peng i së shkuarës,
Shqipëria është shumë më shumë se kaq.

Lapardhaja foli edhe për vetingun e politikanëve duke e gjykuar të arsyeshme sepse shqiptarët kanë nevojë të besojnë të drejtësia e tyre.

Lapardhaja: Është drejtësia e munguar këto 30 vite dhe ndoshta ka ardhur momenti që ajo të funksionojë. Nëse ne kemi pasur paragjykime, ky do jetë një moment i mirë që të venë politikanët e drejtësia meqë drejtësia nuk shkon dot te politikanët.

Shoqëria jonë, sipas tij, ka nevojë për besueshmëri te institucionet. Mirë apo keq institucionet e drejtësisë do fillojnë të funksionojnë dhe në gjykimin e tij ka ardhur momenti që drejtësia të jetë për të gjithë.

Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku