"Duan ta shembin për interesa personale", banorët: Ekspertiza e vlerësoi pallatin të padëmtuar nga tërmeti

Banoret në rrugën “Myslym Keta” në kryeqytet nuk janë dakord me vendimin e Bashkisë Tiranë që pallatet e tyre të shemben. Ata thonë se banesat ku jetojnë janë në gjendje shumë të mirë dhe nuk janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Me këtë argument i kërkojnë bashkisë të tërhiqet, pasi nuk do të dalin nga shtëpitë.

Edhe pse nuk ka dëmtime e as plasaritje muresh dhe prej gati 2 vitesh dhjetëra familje jetojnë në këto shtëpi, bashkia e Tiranes ka vendosur që blloku i pallateve të shembet.

Në këto ndërtesa janë bërë dy ekspertiza që vërtetuan se objektet nuk kishte dëmtime në strukturë dhe dëmet u konsideruan të riparueshme.

Por, 15 muaj pas tërmetit një grup ekspertësh bëri  një akt ekspertimi në fshehtësi të plotë, sipas së cilit, ndërtesat paraqesin rrezikshmëri dhe duhen prishur.

"Asnjë gërvishtje nuk kam. Kam jetuar aty, s'kam lëvizur asnjë minutë."

"Të na lënë në shtëpitë tona, probleme s;kemi, kërkesa nuk kemi. Nuk e di se ku e kanë hallin."

"Çdo familje burrë e grua me fëmijë ka punuar një jetë për atë shtëpi."

"Erdhën na prenë ujin dhe dritat fshehur. Të më lërë rehat në shtëpinë time. Le të më japë Erion Veliaj shtëpinë e vet."

Për banorët kjo është absurde.

"Herë pas here bashkia ngrihet dhe bën mbledhje dhe vendos që pallati do shembet. Nuk e kuptojmë pse nuk vijnë drejtuesit e bashkisë të bisedojnë me ne banorët si është puna, ne jemi njerëz."

"Ku është kjo qeveri. Të gjithë që kanë ardhur thonë nuk ka nevojë të prishet. Inxhinieri i fundit ka qenë turk që e ka thënë këtë."

Thonë se shpesh ju kanë shkuar zarfe nga bashkia por nuk kanë pranuar që t'i marrin.

"Na thërresin te lagjja një nga një që të firmosim nga DS3 në DS5. Këta janë kriminelë."

Për ta shembja e pallateve po bëhet për interesa personale të funksionareve shtetërore .

"Nuk është për tërmetin, është për interesat e tyre. Përderisa është për interesin e tyre të vijnë të bisedojnë me ne."

"Kanë interes punën e tokës që është matanë, se duan ta marrin dhe arën."