Amendamentet e PD për vetingun, Kume: Koha për reformë të thellë legjislative, jo për arnim Kushtetute

PD ka propozuar amendamentet ku kërkon që të 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti, Kryeministri, Ministrat dhe Guvernatori i Shqipërisë t'i nënshtrohen vettingut në të njëjtën formë siç është vepruar me gjykatësit e prokurorët.

Ish kreu i KQZ-së, Kristqa Kume i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Siklajda Shorja u shpreh se propozimet e PD-së cekin 3 probleme të rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë dhe demokracisë në terma në përgjithshëm.

Kume: Midis 3 propozimeve të PD-së ka një propozim i  cili është zor të realizohet ashtu siç kërkohet; propozimi për vetingun e politikanëve. Edhe mënyra se si është kërkuar për t'u realizuar e bën shumë të diskutueshëm suksesin për t'u arritur pavarësisht nga dakordësia e shprehur në terma të përgjithshëm.

Sipas zotit Kume kur shikon propozimet e bëra nga PD-ja të krijohet përshtypja se udhëheqëse ka qenë interesi politik.

Kume: Vazhdohet të kërkohet ndërhyrja në Kushtetutë në të njëjtën mënyrë sipas të njëjtave objektiva me ato ndërhyrje që janë bërë më parë në Kushtetutë. Janë diku te 10-11 ndërhyrje që janë bërë në Kushtetutë që nga koha e krijimit dhe për pasojë efektet e ndërhyrjeve në Kushtetutë kanë qenë jo ato të dëshiruara nga qytetari, po ato të kërkuara për t'u realizuar nga politika. Ndryshimet e bëra në 2008 krijuan  probleme shumë të mëdha në qeverisjen e vendin. E njëjta ndjesi që ka shoqëruar ndryshimet e bëra nga politika, tek unë mbetet po e njëjta gjë, rregullimi i legjislacionit në interesin politik të tyre.

Sipas zotit Kume nëse do kërkohej bërja e legjislacionit në zhvillim të vendit dhe shtetit të së drejtës sot është koha për të bërë një ndërhyrje të thellë legjislative dhe jo për të arnuar Kushtetutën.

Kume: Ne jemi në kushtet kur është kërkuar dhe kërkohet si rezultat i zhvillimit gjatë këtyre 30 viteve ka nevojë për një reformë të thellë legjislative. Unë mendoj se është tamam koha të fillohet një proces i thellë reformues legjislativ i cili nuk mund të bëhet edhe kështu siç janë kërkuar këto ndryshime kushtetuese si rezultat i vendimmarrjes së dy partive politike, duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës.

Sipas zotit Kume nëse procesi do të fillojë dhe do të mbarojë si proces bipartizan (proces i dy partive) do të jetë një proces i cili pritet të prodhojë të mira për ata që do ta bëjnë, por zor se mund të krijojë të mira për të tjerët.

Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti për online Zhuljana Zhuleku