Vaksina Pfizer edhe për fëmijët 5-11 vjeç
Agjencia Amerikane për Sigurinë e Barnave dhe Ushqimeve pritet të miratojë vaksinën Pfizer-BioNTech për përdorim te fëmijët 5 deri 11 vjeç.
FDA-ja tregoi të premten se vaksina rezulton me një efikasitet mbi 90 për qind në parandalimin e simptomave nga Covid-19 te moshat e vogla.
Agjencia vuri në balancë rreziqet që kovidi sjell te shtrimet në spital, vdekjet apo disa nga efektet e mundshme anësore, si miokarditi ose problemet me muskulin e zemrës, që janë vërejtur te më të rinjtë e imunizuar me vaksinat Pfizer-BioNTech dhe Moderna.
"Nga analiza parashikojmë se përfitimet në parandalimin e rasteve klinike janë më të mëdha sesa rreziku i rasteve me miokardit," njoftoi FDA-ja.
Komiteti i pavarur i ekspertëve të vaksinave do të vendosë të martën për autorizimin e tyre për 5–11-vjeçarët.
"Për vaksinimet kemi të regjistruar më shumë se 25 mijë pediatër, doktorë familjesh dhe punonjës të kujdesit shëndetësor parësor. Kemi punuar edhe me Pfizer-in që ta modifikojmë paketimin për dozat dhe që për fëmijët të përdoren gjilpëra më të vogla," tha këtë javë Xhef Zints, koordinatori për pandeminë i Shtëpisë së Bardhë.



