Rama i kritikoi për mbetjet, kryebashkiakët i përgjigjen, Ndreu: Qeveria të pastrojë rrugët nacionale

Pas kritikave të shumta që kryeminstri Rama dhe ministrja e Mjedisit bënë për menaxhimin e mbetjeve në Himarë, kryebashkiaku i saj pranoi vërejtjet duke thënë se do të përmirësohet. Ndërsa kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu pati kritika për menaxhimin e mbetjeve në rrugët nacionale.

Notën maksimale për menaxhimin e  mbetjeve urbane e mori bashkia e Lezhës duke u përmendur nga kryeministri Edi Rama si bashkia model, shembullin e së cilës duhet të ndjekin edhe të tjerat.

Pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i bashkisë Pjerin Ndreu  tha se ndihej i kënaqur me vlerësimin e kryeministrit, por nuk kurseu kritikat ndaj qeverisë.

 Menaxhimi i mbetjeve në rrugët nacionale është problemi që shqetëson Ndreun.

"Problemin që kemi ne që qeveria duhet të ndërhyjë janë akset nacionale të rrugës të cilat nuk na takojnë ne por që kompanitë koncesionare që merren me atë punë duhet ta bëjnë. Me ministrin e turizmit kemi biseduar, ose duhet të na japin ne grant shtesë që të merremi ne me këto akse nacionale," tha Ndreu.

 Ndërsa pas kritikave të shumta që Rama i bëri kryebashkiakut të Himarës Jorogo Goro, ky i fundit, nuk kurseu autokritikën para partisë së tij.

"Ja vlen të përmirësohemi," u shpreh Goro.

 Ndryshe u paraqit Rakip Suli, bashkia të cilën ai drejton u radhit mes atyre që kanë menaxhuar më keq situatën e plehrave, duke mohuar kritikat e Ramës.

"E ke dëgjuar gabim mbase," tha Suli.

Pas plehrave, kryetarët e bashkive do të mblidhen për menaxhimin e burimeve ujore, ndërkohë që duhet të nisin nga puna  për stabilizimin e situatës së plehrave.