Menaxhimi i mbetjeve, Rama thërret kryebashkiakët në Kryeministri, i pranishëm dhe Leli
Kryeministri Edi Rama ka thirrur në takim kryebashkiakët socialistë.
Në këtë takim është i pranishëm edhe kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, i cili ka munguar në takimin e fundit që Rama pati me të zgjedhurit vendorë socialistë.
Fokusi i takimit është menaxhimi i mbetjeve dhe trajtimi i mbetjeve urbane.
Ministrja e Turizmit Kumbaro tha se e vetmja mënyrë për ti menaxhuar është duke i administruar dhe pastruar territorin, duke i trajtuar, seleksionuar dhe ricikluar.
Kumbaro: Është e vetmja mënyrë për të ulur volumin total të mbetjeve. Nëse vazhdojmë pa këto parime një ditë do bëhen më të mëdhaja se komuniteti që i prodhon.
Kumbaro risolli në vëmendje se sot kemi 6 impiante trajtimi por shtoi se kanë trashëguar një situatë kaotike me mbetjet.
Kumbaro: Shqipëria nuk është me sipërfaqe sa Kina por një terriror i ndarë në 7 zona të menaxhimit të integruar të mbetjeve. Janë 6 impiante që mbulojnë 74% të popullsisë përkundrejt 16% në 2013. Trashëguam një situatë kautike që shkon përtej 2013. Kemi mbetje që i trashëgojmë prej 1990. Reforma territoriale e 2015 na tregoi çfarë masakre ishte bërë me mospastrimin e mbetjeve nga komunat, çdo komunë kishte një gropë me plehra.
Kumbaro kërkoi angazhimin e bashkive, pasi siç tha ajo nuk mund të ketë respektim të autonomisë pa respektim të mjedisit dhe garancitë për sigurimin e shëndetit dhe mbrojtjes së banorëve dhe vizitorëve që vijnë.
Kumbaro: Nuk kemi ardhur këtu për ti rënë gjoksit por për të vrarë mendjen. Kemi rritur standardin por edhe pritshmëritë. Nuk ndot vetëm kryetari i bashkisë vetëm por gjithë komuniteti, me gjithë bizneset që kryetari i bashkisë ka marrë votëbesimin për ti menaxhuar. Me ligj dhe me parim, administrimi i mbetjeve dhe shërbimi i menaxhuar i tyre është përgjegjësi e drejtë e bashkive por halli dhe pasojat janë të gjithë qytetarëve.
Duke respektuar autonominë e qeverisjes vendore nuk mund të mos merremi si qeveri dhe të shqetësohemi maksimalisht me problemet që kemi në territor me pastrimin apo mospastrimin.Nuk mund të ketë respektim të autonomisë pa respektim të mjedisit dhe garancitë për sigurimin e shëndetit dhe mbrojtjes së banorëve dhe vizitorëve që vijnë.
Nuk duhet të na zërë gjumin ditë dhe natë sa kohë në territorin e fshatit, qytetit, plazhit, parkut kemi trashëguar 100 venddepozitimne të paligjshme që askush përveç nesh nuk do ti pastrojë. Nuk do vijë njeri nga Marsi, ne do ti pastrojmë.