Amendamentet PD/ Basha takon deputetët e tij tek "Ligjet": Çoni përpara ndryshimet kushtetuese

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbledhur sot anëtarët demokratë që janë pjesë e Komisionit të Ligjeve.

Mbledhja vjen një ditë para dorëzimit në Kuvend të amendamenteve për ndryshimet kushtetuese, që formalizojnë 3 propozimet për Vetingun e politikanëve, reformën territoriale dhe atë zgjedhore.

Burime për Ora News, bëjnë me dije se Basha është shprehur se amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike janë të domosdoshme për të nxjerrë vendin nga kriza politike, teksa ka renditur dhe probleme që përballen qytetarët shqiptarë.

Kryedemokrati ka kërkuar se deputetët duhet të vijojnë punën për të çuar përpara këto ndryshime në kushtetutë, pasi me këto nisma përfitojnë qytetaratë shqiptarë.

Fjala e Bashës:

Amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike janë të domosdoshme për të nxjerrë vendin nga kriza politike. Shqiptarët sot e dinë se problemet që ata hasin te çmimet, te pamundësia për të përballuar kostot e jetesës, në punësim, arsimim, shëndetësi, biznes e kudo tjetër burojnë aty ku e ka gjenezën lufta jonë me për kthimin e legjitimitetit, te zgjedhjet e lira dhe të  ndershme.

Pra nuk po ndërmarrim këto iniciativa për Partinë Demokratike, por për shqiptarët, që të kenë mundësi të zgjedhin dhe mundësi për të zgjedhur kandidatët që nuk kanë lidhje me krimin, kandidatë që nuk kanë lidhje me korrupsionin.

Nga ecja përpara e këtyre iniciativave, përfitojnë qytetarët, si në rastin e zgjdhores dhe asaj territoriale, ashtu edhe në rastin e vetingut në politikë, jo një parti apo një tjetër, por cdo qytetar që kërkon ndryshim, që kërkon përfaqësim, që kërkon një politikë të pastër, larg ndikmit të krimit dhe korrupsionit.