"Edi Rama krijoi narkoshtetin e parë në Evropë", Berisha: Koha kërkon të ngrihemi kundër regjimit të qeverisë
Foltorja e Demokratëve është ndalur pasditen e sotme në Dibër. Takimi u zhvillua në ambientet e Pallatit të Kulturës ku ishin mbledhur dhjetëra demokratë. Kjo është "Foltorja" e 10-të e ish-kryeministrit Berisha. I pranishëm është edhe ish-kryetari i bashkise Ilir Krosi si dhe kryetarja e Gruas Demokrate. Nga Peshkopia, Berisha u shpreh se koha kërkon nga demokratët që të ngrihen dhe t'i përgjigjen sfidave dhe situatës kritiek të krijuar nga regjimi i Edi Ramës, siç e quan ai.
Berisha: "Koha kërkon nga ne të ngrihemi t'i përgjigjemi sfidave të mëdha, situatës kritike të krijuar një vend nga një regjim i Edi Ramës, i cili në mënyrë tmerrësisht të dëmshme për Shqipërinë ndërtoi në këto 8 vite shtetin e drogës dhe krimit, narko-shtetin e parë në Evropë. Ky regjim në këto 8 vite jo vetëm që nuk përparoi standardet e demokracisë dhe nivelin e jetesës së shqiptarëve, por përkundrazi zhbëri një shumicë të madhe prej tyre dhe shqiptarët i zhyti në varfëri dhe mjerim.
Varfëria e skajshme është 3.6 herë më e madhe se sa ishte në vitin 2013. Sot shqiptarët nga kombi me rrogën mesatare me rrogën më të lartë mesatare në rajon, marrin rroga 30% më të ulëta se në Kosovë. Kafshata e bukës në këtë vend është 87 herë më e shtrenjtë se në vendet anëtare të BE-së. Sot shqiptarët paguajnë naftën të barabartë me qytetarët e Zvicrës të cilët kanë një rrogë mesatare 6000 mijë euro në muaj, kundrejt 420 euro që është rroga mesatare e shqiptarëve. Edi Rama mendon për veten në vend që të mendojë për qytetarët. Vjedhja ka bërë që arka e shtetit të jetë bosh. Sot kjo qeveri fund e krye antinjerëzore shpalli krizën energjitike, e krijoi vetë krizën energjitike me vjedhje.
"/OraNews/
