Raporti i KE, Gjosha: Nuk mendoj se Shqipëria i ka plotësuar kushtet

Komisioni Evropian prezantoi sot Raportet e Progresit për vendet e zgjerimit. Paketa e zgjerimit, që përfshin edhe raportet vjetore të progresit për vendet në këtë proces, konstatoi përparim të kufizuar të këtyre vendeve drejt përmbushjes së kritereve për integrim në Bashkimin Evropian. KE nuk propozoi një datë për konferencën e parë ndërqeveritare pavarësisht se raporti ishte pozitiv.

Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit e ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj mendon se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet ashtu siç citohet në raportin e KE-së.

Sipas analizës së Gjoshës në Shqipëri ende kemi korrupsion, krim të organizuar dhe pavarësisht hapave që mund të bëhen, ish-ministrja mendon që ka ardhur koha që KE të jetë më e qartë se çfarë kushte duhet të plotësojë Shqipëria për të marrë datën e konferencës së parë ndërqeveritare. 

Gjosha: "Më erdhi keq të dëgjoja sot të njëjtin progres-raport për 5 vite sepse Shqipërisë i rekomandohet një datë, por është e njëjta gjuhë e përdorur nga KE. Nuk pashë asnjë fjali të re, asnjë qëndrim konkret. Unë mendoj që përveç ngërçit që kanë vendet që aspirojnë të bëhen pjesë e BE, është dhe një tjetër ngërç në gjuhën e përdorur, por që kuptohet që ka ardhur momenti të kalojmë në një gjuhë ndryshe. Sot nuk kemi më korrupsion, nuk kemi më krim të organizuar, kemi ne një reformë zgjedhore e cila e ka zgjidhur ngërçin e zgjedhjeve në Shqipëri? Unë nuk besoj se këto kushte janë plotësuar, pavarësisht hapave që mund të bëhen. Nuk shoh të kemi një plotësim 100% të këtyre kushteve dhe ndoshta ka ardhur koha që KE të jetë më e qartë. Çfarë duhet të plotësojë Shqipëria 100% që të jetë gati? Mënyra se si po funksionon sot nuk po shkon drejt zgjerimit."

Për sa i përket datës së konferencës së parë ndërqeveritare, Gjosha u shpreh se është e vështirë të vendoset brenda këtij viti pasi është një proces që kërkon kohë. Gjosha më tej shtoi se procesi i negociatave është jetik për vendin.

Gjosha: "Unë nuk e shoh brenda këtij viti, është e pamundur edhe duke njohur mënyrën se si funksionon BE. Ajo çka nuk pashë është propozimi i një date nga KE. Ata kanë një rezistencë dhe unë nuk e di pse nuk e bëjnë këtë. Duke qenë se nuk e bëjnë këtë dhe ja lënë në dorë vendeve të tjera anëtare të cilat kanë shumë probleme të brendshme procesi shtyhet. Procesi i negociatave është jetik për vendin. Le t'i vendosin kushtet kryesore në momentin që ne çelim negociatat."/OraNews/