Strategjia për Rininë, Rama: Do plotësojmë laboratorët, informatika që në klasë të parë. Program për sportin dhe zejet në shkolla

Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar konsultime me studentët për Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë (2022-2029).

Teksa ka dëgjuar problematikat e studentëve Rama u shpreh se do të ndryshohet sistemi i mësimit të informatikës, ndërsa do nisë dhe plotësimi i laboratorëve, në mënyrë që mësimi të bëhet edhe në mënyrë praktike.

Edi Rama: Disa çështje që kanë qenë të kudondodhura në takimet e kryera me studentë, janë trajtuar sot në një takim me anëtarët e kabinetit. Klasat e informatikës nuk janë në lartësinë e duhur dhe nuk ofrojnë mësim cilësor ku të mos mësohet mekanikisht por në mënyrë kreative dhe në mënyrë praktike. Nxënësit ankohen për pamundësinë që të kenë një mësim në laborator, që të jetë informuar si edhe në të njëjtën kohë cilësor.  Sistemin e informatikës, do ta bëjmë të qendërzuar. Ne do të fillojmë punën për të plotësuar laboratorët e shkollave me qëllimin që plotësimi i laboratorëve të jetë objektiv afatshkurtër, duke i dhënë mundësi nxënësve që të marrin një mësim kreativ, tërheqës dhe cilësor.

Rama u shpreh se mësimii informatikës do të jepet që në klasë të parë.

Edi Rama: Dhënien së mësimit të Informatikës, kemi objektivin ta nisim qysh në klasë të parë së shpejti, do ta bëjmë sistem të qendërzuar ku falë mundësisë së lidhjes në distancë nxënësit duke pasur mësuesin përkatës të pranishëm në klasë të marrin një pjesë të konsiderueshme të mësimeve nga lektorë të nivelit më të lartë”

Më tej kreu i qeverisë tha se nxënësve do t'i krijohen mundësi edhe që të marrin njohuri të thelluara për të hyrë në botën e teknologjisë. Rama tha se  teknologjia ofron mundësi të shumta pune.

Edi Rama: Çështja e kushteve që do krijojmë për t'u dhënë mundësi të merrni njohuri të thelluara për të hyrë në botën e teknologjisë. Ne po punojmë për një program specifik, për përgatitjen e koduesve, për tju dhënë mundësinë që nëpërmjet kurseve intensive që zgjasin 3 apo 6 muaj, dhe që janë bërë në SHBA me qëllimin që në një kohë të shkurtër të mbledhësh informacionin e disa viteve. Sot është një treg pune i madh sa globi dhe i hapur për këdo që jeton në këtë planet pa pasur nevojë të lëvizë nga vendi ku është ulur, mjafton të hapë kompjuterin dhe është tregu më i madh i punës në botë.

Rama tregoi edhe planin për futjen e programit të zejeve dhe sportit në shkolla, duke thënë që mësimi i nxënësve të lidhet dhe me punën e duarve dhe kreativitetin artistik.

Edi Rama: Ne sot kemi diskutuar vendosjen në dispozicion të programit të arteve dhe të zejeve në të gjitha shkollat, jo vetëm në ato profesionale, të një financimi të veçantë, ku do të përfshihen dhe vullnetarizmi. E tha shumë bukur një nga vajzat këtu që jeta e të rinjve të mos jetë e mbyllur në klasë dhe në kutin e i phone-it, por të jetë e lidhur edhe punën e duarve, kreativitetit artistik dhe dëshirën qytetare për t’u aktivizuar në punë në të mirë të komunitetit.