Hetimet për vdekjen e 4 rusëve, ekspertët rikthehen në hotelin “Gloria Palace” për analiza

Hoteli ku vdiqën katër turistët rusë pak ditë më parë në Qerret të Kavajës është kontrolluar sërish nga ekspertët me urdhër të prokurorisë. Hetuesit kanë kërkuar verifikime për ujin, kaldajat dhe sistemin e ajrimit të hotelit ku qëndruan katër viktimat ndërkohë që po analizohen edhe solucionet e përdorura për dezinfektim. Mësohet se familjarët e katër turistëve kanë kërkuar hetime për ngjarjen edhe në Rusi.

Një grup ekspertësh të specializuar u rikthyen të martën në hotelin “Gloria Palace” ku humbën jetën 4 turistë rusë mbrëmjen e 15 tetorit 2021.

Ekspertët në bashkëpunim me policinë dhe prokurorinë e Kavajës kanë kontrolluar gjithë hotelin, mënyrën se si funksionojnë kaldajat, si kryhet ajrimi i ambineteve, ujin që përdoret, masat anti-Covid si dhe solucionet që janë përdorur për dizifektim dhe kryesisht cili lloj është përdorur ditën kur ka ndodhur ngjarja.

Prokurorët kanë kërkuar ekspertizë të gjithanshme sa i takon ajrit, ujit dhe të gjitha solucioneve që janë përdorur në hotel ditën e ngjarjes, kyesisht në pishinën dimërore dhe saunën ku u gjetën trupat e pa jetë.

Kjo ekspertizë u kërkua nga prokuroria e Kavajës, e cila është në pritje të përgjigjeve të monstrave të mëparshme që janë dërguar për ekspertim ku do të analizohet rezultati për të përcaktuar shkaqet e ngjarjes tragjike, ndërkohë që 4 turistët rusë veç autopsisë në Shqipëri do i nënshtrohen dhe një ekspertize tjetër mjeko-ligjore në Rusi.

Mësohet se kanë qenë familjarët e viktimave që kanë kërkuar një gjë të tille në shtetin rus, duke dyshuar në lidhje me shkakun e vdekjes.

Ndërkohë që përfaqësues të Ambasadës ruse kanë qenë të pranishëm në çdo etapë të dosjes hetimore duke mbajtur kontakte me policinë dhe mjekësinë ligjore.

Fillimisht ngjarja është regjistruar për vrasje nga Prokuroria e Kavajës edhe pse nuk ka prova direkte për një fakt të tillë.