"Po falimentojmë" Fermerët e Myzeqesë në protestë: Shteti të kthejë sytë nga ne, kemi ngecur në baltë

Fermerët e Fierit, Lushnjes dhe Beratit protestuan sërish për humbjet që u shkaktoi kultivimi i farës së domates “Ozgan”. Ata fajësuan Ministrinë e Bujqësisë për mungesë kontrolli ndaj farërave të cilat po i çojnë drejt falimentimit. Kultivuesit e perimeve kërkuan dëmshpërblim, pasi thanë se për investimet e kryera kanë marrë kredi dhe borxhe të cilat nuk po arrijnë ti paguajnë.

Fermerët e Fierit, Beratit e Lushnjes protestuan të martën në fshatin Samatiçe për shkak të humbjes nga fara problematike e domates.

Prodhuesit vendas që kanë kultivuar kryesisht farën “Ozgan” thonë se janë drejt falimentimit për shkak të cilësisë së dobët të produktit që nuk po shitet në treg.

Fermerët akuzojnë Ministrinë e Bujqësisë e cila, sipas tyre nuk ka bërë asnjë veprim për kontrollin e këtyre farërave.

Fermerët thonë se kanë marrë kredi dhe borxhe për investimin që kanë kryer ndaj kërkojnë dëmshpërblim nga shteti.

"Kërkesa jonë është të plotësohen kushtet e një fermeri normal, sepse nga fara jemi 0, nga plehrat jeni 0 janë shumë të shtrenjtë. Nuk  po dimë kujt t'i drejtohemi. Ne kemi ngecur në baltë. Fidanët janë shumë të shtrenjtë. Prandaj jemi ngritur sot në protestë, që të kërkojmë të drejtat tona", tha një fermer.

"Kemi kaluar në depresion të gjithë.  Farat e shtrenjta, pesticidet e  shtrenjta, kemi borxhe nga të gjitha anët. Kemi vajtur atje ku nuk mban më", u shpreh një fermer.

Përdorimi i farës së domates “Ozgan” në këtë sezon ka dëmtuar në masë fermerët pasi prodhimi ka qenë i pakët dhe jo cilësor duke mos gjetur treg shitje.