Zgjerimi i BE-së, Komisioni Europian prezanton sot progres-raportet për vendet kandidate, ja çfarë pritet

Komisioni Evropian prezanton sot Raportet e Progresit për vendet e zgjerimit. Sipas drafteve të raporteve që do të miratohen të martën, Brukseli do të përsërisë qëndrimin e shprehur edhe më herët se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit.

Komisioni Evropian prezanton sot Raportet e Progresit për vendet e zgjerimit. Paketa e zgjerimit, që përfshin edhe raportet vjetore të progresit për vendet në këtë proces, pritet të konstatojë vetëm një përparim të kufizuar të këtyre vendeve drejt përmbushjes së kritereve për integrim në Bashkimin Evropian.

Këto raporte pritet të miratohen këtë të martë nga Kolegji i Komisionerëve dhe të prezantohen para deputetëve të Parlamentit Evropian, nga Oliver Varhelyi, komisioneri për zgjerim i BE-së.

Komisioni Evropian, sipas drafteve të raporteve që do të miratohen të martën, do të përsërisë qëndrimin e shprehur edhe më herët se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit.

 Po ashtu do të ritheksojë se qëndron edhe prapa rekomandimit që për Kosovën të liberalizohen vizat, një çështje e cila tash e një kohë të gjatë është në duart e Këshillit të BE-së ku nuk është arritur kompromis mes vendeve anëtare që të merret ky vendim.

Mjaft kritik pritet të jetë edhe raporti për Bosnje e Hercegovinën, vend ky ku po vazhdon kriza politike. Po ashtu do të përmendet edhe kriza në Mal të Zi si dhe tensionimi i raporteve të këtij shteti me Serbinë.

Në Raportet e Progresit për Kosovën dhe në atë për Serbinë flitet edhe për dialogun mes këtyre dy vendeve që është duke u zhvilluar me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Edhe Kosovës edhe Serbisë do t’u bëhet thirrje që të zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialog deri më tani dhe të kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje githëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve.

Periudha kohore të cilën e mbulon ky raport përfshin vitin 2020 dhe pjesën e këtij viti deri në verë. Kësaj rradhe për të gjitha shtetet raporti flet edhe për përballjen me pandeminë dhe me pasojat ekonomike që i ka shkaktuar ajo.

Nga të gjitha shtetet e rajonit, Komisioni Evropian do të kërkojë që të bëhen më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, dhe fokus të veçantë në sundimin e ligjit.

Pasi integrimi në BE konsiderohet si synim strategjik, Bashkimi Evropian nga të gjitha shtetet e përfshira në këtë paketë kërkon që të mbështesin edhe qëndrimet evropiane në politikën e jashtme.