Shoqata e Transportit Urban paralajmëron reduktim të mëtejshëm: Po shkojmë drejt falimentimit

Një ditë pas përgjysmimit të linjave të transporti urban në kryeqytet, Kamëz dhe Vorë, për shkak të rritjes së çmimit të karburantit, Shoqata e Transportit Urban ka paralajmëruar  reduktim të mëtejshëm të shërbimit të transportit urban, nëse qeveria nuk merr masa.

Në një deklaratë për mediet Shoqata e Transportit Urban i ka kërkuar qeverisë indeksimin e çmimit, reduktimin e TVSH-së dhe heqjen e akcizës ose të taksës të qarkullimit për naftën e përdorur nga sektori i transportit.

Përfaqësuesit e Shoqatës i kanë kërkuar qeverisë  të eliminojë disa taksa, në mënyrë që të mos ketë rritje çmimi për qytetarët.

Gjithashtu Shoqatat i bëri thirrje Bashkisë dhe qeverisë,  të ulen në tryezë e të gjejnë një zgjidhje, pasi në të kundërt ata do të falimentojnë.Çmimi i biletës të transportit urban në Tiranë është 40 lekë dhe i abonesë të linjës 1,200 lekë dhe abonesë të përgjithshme 1,600 lekë

Gazetarja e Ora News, Enxhi Musai, raporton se disa qytetarët janë detyruar herë pas here të qarkullojnë në këmbë, për shkak se nuk kanë arritur të hyjnë në urban për shkak të numrit të reduktuar të linjave.

Bashkia e Tiranës nuk ka dhënë ende një deklaratë për problemin.