Gledis Nano prezanton Ardian Çipën në Elbasan, sfidë kontrolli i territorit dhe përballja me krimin
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka nisur prezantimin e krerëve të rinj të policisë në qarqe. Gjatë qëndrimit në Elbasan ku prezantoi drejtorin e ri të policisë Ardian Çipa, Nano ka kërkuar angazhimin e të gjitha strukturave të policisë dhe përmirësim të punës në drejtim të rendit dhe sigurisë publike dhe zbardhjes së ngjarjeve pa autor.
Kreu i policisë së shtetit, Gledis Nano, ka nisur prezantimin e drejtuesve të rinj të policisë në qarqe.
Paraditen e së martës drejtues të policisë zbarkuan në Elbasan, një nga qarqet më problematike sa i përket ngjarjeve kriminale, ku është prezantuar drejtori i ri i policisë së qarkut Ardian Çipa.

Ai zëvendëson në këtë post, Xhovalin Lokën, i cili qëndroi në detyrë vetëm 4 muaj, ndërsa pas largimit nga Elbasani ai do të drejtojë policinë e Korçës.
Kryepolici, Gledis Nano, është ndalur për rreth 30 minuta në një takim pa praninë e mediave në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit.
Burime jo zyrtare bëjnë me dije se drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano, ka kerkuar nga drejtuesi i ri bluve të Elbasanit angazhim të plotë në luftën kundër krimit.
Ndërkohë një ditë më parë, gjatë prezantimit të ndryshimeve në rang drejtorësh, kryepolici paralajmëroi se vala e ndryshimeve do të prekë edhe shefat e komisariateve me qëllim përmirësimin e treguesve të punës në luftën ndaj krimit dhe rendin publik.
Muajin e fundit në Elbasan janë shënuar 4 viktima si pasojë e vrasjeve, ndërkohë që shumë krime të tjera të mëparshme mbeten të pazabardhura, ku një pjesë e mirë e tyre janë një zinxhir hakmarrjes mes bandave.
Ngjarja e fundit që tronditi rendin në Elbasan ishte ekzekutimi me 4 plumba i Elton Mermalit alias Alban Semaku i njohur si ushtari i Aldo Bares, i cili u gjet në zonën e Peqinit i hedhur buzë lumit Shkumbin, ndërsa krimi mbetet ende i pazbardhur.



