Amendamentet e PD për vetingun e politikanëve: Do hetohet pasuria, bisedat telefonike dhe e-mailet

PD propozon amendamentet ku kërkon që të 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti, Kryeministri, Ministrat dhe Guvernatori i Shqipërisë ti nënshtrohen vettingut në të njëjtën formë siç është vepruar me gjykatësit e prokurorët.

Si gjyqtarët politikanët do i nënshtrohen dhe kontrollit të pasurisë dhe pastërtisë së figurës.

PD paraqet dhe mekanizmin e garantimit të integritetit të figurës së funksionarit publik dhe kontrollin e tij.

Subjekt të këtij kontrolli janë: Funksionarët publikë që i nënshtrohen procesit të kontrollit të integritetit janë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri dhe ministrat, Presidenti i Republikës, kryetari i bashkisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit.

Gjithashtu do jenë në verifikim edhe familjarët e tyre.

Pranë SPAK do të ngrihet Sektori i luftës ndaj korrupsionit dhe garantimit të integritetit në rradhët e funksionarëve të lartë shtetërore, që përbëhet nga 6 prokurorë të SPAK, të zgjedhur me short çdo 3 vjet.

Shqyrtimi i çështjes së një funksionari publik për kontrollin e integritetit shqyrtohet nga një Kolegj Vlerësimi i përbërë nga 3 prokurorë nga Sektori i i Luftës ndaj Korrupsionit dhe garantimit të integritetit në rradhët e funksionarëve të lartë shtetërore, të caktuar rast pas rasti me short.

Më pas çështja kalon në Gjykatën e Posacme të Shkallës së Parë më pas në Apel dhe kalon në Gjykatën Kushtetuese e cila vendos përfundimisht për funksionarin publik.

Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese urdhëron ndalimin për tu zgjedhur apo emëruar në një funksion publik për një periudhë 15 vjet.

"Gjykata Kushtetutese vendos përfundimisht që mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose kanë pasuri të pajustifikuar ligjërisht. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese urdhëron ndalimin për tu zgjedhur apo emëruar në një funksion publik për një periudhë 15 vjet. Gjykata Kushtetuese shqyrton çështjen në seancë plenare" thuhet në amendamentin e PD-së (shiko dokumentin poshte)

Gjatë periudhës së shqyrtimit të ankimit funksionari publik i pezulluar nga funksioni paguhet në masën 75 për qind të pagës.

Do kontrollohen telefonatat

PD mësohet se do ta dorëzojë këtë javë në kuvend kërkesën për ndryshimin e kushtetutës. Sipas këtij këtij propozimi të gjithë të zgjedhurit dhe funksionarët e lartë do të verifikohen nëse kanë takime apo biseda përmes telefonit apo emailit me persona të inkriminuar.

"Kontrolli i pastërtisë së figurës për të verifikuar kontaktet e papërshtatshëm me persona të përfshirë në krimin e organizuar nënkupton verifikimin e ҁdo forme kontakti fizik apo jo, me dashje dhe jo rastësore, që përfshin, por pa u kufizuar, takimet ose biseda dhe komunikime elektronike, dhe që nuk përputhen me natyrën e ushtrimit të rregullt të detyrës nga funksionari publik, pavarësisht nëse ka ndikuar apo jo në ushtrimin e saj, me çdo person që është dënuar apo proceduar penalisht, brenda apo jashtë Shqipërisë" thuhet në amendament.

Nëse SPAK zbulon pasuri të paligjshme, kontakte me persona të inkriminuar merr vendimin për ndërprerjen e mandatit. Nëse dhe në apelim vendimi rri në fuqi, është Gjykata Kushtetuese që jep verdiktin final.

Gjithashtu për të garantuar transparencën e procesit si dhe interesin e publikut gjatë procesit të kontrollit të integritetit, pranë Kuvendit të Shqipërisë ngrihet dhe funksionon Komisioni i Posaçëm Parlamentar i garantimit të integritetit të funksionarëve të lartë shtetërorë, i përbërë nga 6 deputetë, 3 nga shumica parlamentare dhe 3 opozite.

Në 7 nenet e propozuara për ndryshim kërkohet dhe reformë territorial, duke rikthyer komunat

Amendamentet e PD-se

 

Dokumenta bashkëngjitur