Brdariç: Kjo është skuadra që dua, po ndërtojmë Vllazninë e re
Nuk mund të kishte reagim ndryshe Thomas Brdariç. Trajneri i Vllaznisë u shpreh tepër i lumtur për fitoren ndaj Dinamos duke thurur elozhe për skuadrën dhe djemtë për paraqitjen e bërë.
“Pikë së pari urime për ekipin tim, që kishte shumë dëshirë për të fituar sot dhe besoi që nga sekonda e parë se mund të merrte tre pikët sot. Për t’iu përgjigjur pyetjes tënde, e kisha harruar që fituam 5-3 ndaj Laçit. Do ta shoh ndeshjen pas 2-3 orësh dhe mbase gjej diçka që nuk shkoi, por jam shumë i lumtur dhe krenar për skuadrën time, që dominoi dhe mori një fitore të merituar. Para ndeshjes gjerat ishin të balancuara, pasi të dy ekipet kishin grumbulluar nga 6 pikë, ndonëse ne mund të kishim 4 më shumë për mënyrën si kanë shkuar ndeshjet. Jemi shumë të gëzuar për fitoren që morëm sot dhe për mënyrën si kontrolluam lojën. Tani jemi në vend të dytë dhe shohim nga kreu, ku kemi para Tiranën”.
I pyetur nëse ka gjetur formulën ideale për sulmin dhe për formacionin, Brdariç tha se po ndërtohet Vllaznia e re dhe se ka ende punë.
“Jemi ende duke e ndërtuar Vllazninë e re dhe çdo gjë vjen me kohën. Duhet të jemi të duruar. Ndeshjen nuk e fituam vetëm sonte, pasi kemi dy javë që punojmë fort për këtë takim dhe çdo gjë erdhi falë përgatitjes. Unë jam shumë i lumtur për të 6 golat dhe madje ata më të thjeshtët janë më të mirë, siç ishte ai i dyti. Dua t’i komplimentoj sulmuesit e mi për ndeshjen që bëmë, pasi krijuam shumë mundësi dhe në fakt kishim punuar shumë edhe për finalizimet. Unë u kam thënë lojtarëve të mi që nëse arrijmë të shënojmë mesatarisht tre gola për ndeshje, do të ishte diçka e shkëlqyer”, përfundoi trajneri i shkodranëve./Ora News/.
