“Fluturojnë” çmimet e qirave, apartamentet në Tiranë të paarritshme për studentët

Kërkesa e shtuar për banesa me qira në prag të fillimit të vitit të ri akademik ka rritur ndjeshëm çmimet në kryeqytet. Agjentët imobilarë thonë se qiratë janë rritur me 20 deri në 25 për qind në krahasim me periudhën tjetër të vitit duke arritur në nivelin e 300 eurove në muaj, një kosto kjo shumë e rëndë për tu përballuar nga buxheti i studentëve.

"Duke qenë se Tirana është korpusi më i madh universitar në Shqipëri, 2-3 studentë bëhen bashkë dhje marrin një apartament me qira. Kjo ka sjellë kërkesë, rritje çmimesh etj. Nuk mund të flasim më për çmime të lira, flasim mbi mesataren. A e ka të mundur një student t'i përballojë këto kosto?"

Edhe pak ditë na ndajnë nga fillimi i vitit të ri akademik dhe problemi më i madh për studentët kryesisht është akomodimi, ndaj dhe ata kanë nisur të kërkojnë apartamente me qira, por në treg çmimi i tyre kap vlera të larta.

Shumë prej i drejtohen dhe agjencive imobilare , por dhe aty hasin në vështirësi pasi u kërkohet 2 muaj qiraje paradhënie shtuar dhe një vlerë që mban komisioni.

Dritan Ballgjini, agjent imobilar thotë se kërkesat për shtëpi me qira në Tiranë janë rritur deri në 300 euro në muaj, por çmimet janë rritur edhe për shkak se në treg ka mungesë apartamentesh.

"Unë mendoj që duke filluar qendrën si strukturë apartamenti 1+1 i mobiluar mund të shkojë deri në 500 euro, i mobiluar këndshëm  350-400 dhe i mobiluar me kushtet elementare mund të shkojë deri në 300 mijë lekë. Kjo rritet në vazhdimësi," tha ai.

Zonat me çmime më të arsyeshme janë periferia e tiranës apo edhe ato me një distance të konsiderueshme nga godinat e fakulteteve.

"Një student që ka një prapavijë  që është familja, patjetër që do jetojë në qendër. Një student që ka një prapavijë mesatare do të jetojë në periferi," tha Ballgjini.

Ballgjini thotë se këto çmime të apartamenteve me qira janë vështirësisht të përballueshme nga kostoja për studentët dhe se shteti duhet të ndërhyjë për t’i ndihmuar

"Politika tona duhet të jenë të tilla që të ndihmojnë studentët përsa i përket kësaj gjëje."/OraNews/