Tenderat pa garë nuk ndalen, 22 milion lekë u jepen dy kompanive, asnjë konkurrencë

Në bashkinë Tiranë vazhdojnë tenderat pa garë. Një fenomen i tillë është konstatuar edhe në fillim të tetorit ku për 2 muaj beton ky institucion do të japë rreth 6 milionë lekë.

Edhe në buletinin e fundit të Prokurimeve Publike nuk kanë munguar tenderat pa garë.

Drejtoria e Rrugëve në bashkinë Tiranë në një tetor ka shpallur fitues kompaninë Korabi 2007 në prokurimin për blerje betoni për nevojat e Bashkisë për 2 muaj me një vlerë 5.9 milionë.

Sipas dokumenteve zyrtare, në garë ka qenë vetëm kjo kompani dhe automatikisht merr dhe të drejtën e zbatimit.

Edhe bashkia Lezhë i ka dhënë subjektit Leon Group 16.6 milionë lekë për furnizimin me ushqim të kopshteve, çerdheve dhe konvikteve të kësaj bashkie, me afat kohor 1 vit.

Sipas materialit të Prokurimeve Publike edhe në këtë rast ka qenë vetëm një pjesëmarrës.

Rezulton se edhe në muajin shtator ishte po e njëjta kompani, e cila garoi për tenderin e materialeve të pastrimit për nevojat e kësaj bashkie dhe institucioneve vartëse të saj, me fond limit 2.586 milionë lekë.

Në garë morën pjesë dhe 3 operatorë të tjerë, ku dy u skualifikuan me arsyetimin e njëjtë se nuk kishin paraqitur mostrat e artikujve të kërkuar, kurse 1 subjekt nuk u paraqit fare ditën e mbajtjes së tenderit.

Fituese rezultoi oferta e Leon Group që ishte 2.500 milionë që ishte dhe më e larta por dhe me diferencë të vogël nga fondi limit. 

Në këtë rast Open Data e ka renditur me flamur të kuq, sinjal që paralajmëron tendera në mungesë konkurrence.